Një ngjarje e rëndë ka tronditur sportin në Kosovë, ku futbollisti Liridon Gubetini ka humbur jetën në mënyrë të papritur gjatë një ndeshjeje futbolli.
43-vjeçari, pjesë e ekipit të veteranëve KFV Barileva, ishte në fushë në përballjen e Kupës ndaj KFV Deçani, kur ndodhi tragjedia. Sipas informacioneve, menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë ai ka humbur ndjenjat në fushën e lojës.
Pavarësisht reagimit të menjëhershëm për t’i dhënë ndihmën e parë, futbollisti nuk arriti të mbijetonte, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Raportimet nga mediat në Kosovë sugjerojnë se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një arrest kardiak, megjithatë ende nuk ka një konfirmim zyrtar përfundimtar nga autoritetet shëndetësore.
Në një reagim publik, klubi i tij shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e papritur:
“Në moshën 43-vjeçare, gjatë ndeshjes së Kupës mes KFV Barileva – KFV Deçani, pas përfundimit të pjesës së parë, Liridoni humbi ndjenjat dhe u nda nga ne, duke lënë pas një boshllëk të madh dhe pikëllim të thellë tek të gjithë ata që e njohën.”
Më tej, klubi vlerësoi figurën dhe kontributin e tij ndër vite:
“Liridoni do të kujtohet gjithmonë si një njeri i jashtëzakonshëm, i respektuar dhe shumë i afërt me skuadrën e veteranëve, duke dhënë gjithmonë kontributin e tij me zemër dhe përkushtim. Ishte pjesë e jona që nga dita e parë pas themelimit të skuadrës.”
KFV Barileva u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të të ndjerit, ndërsa komuniteti sportiv në Kosovë mbetet i tronditur nga kjo humbje e papritur.







