Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, e cila e detyron të paraqitet dy herë në muaj pranë një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha ka folur për mediat, duke vijuar me akuza të forta në drejtim të figurave të drejtësisë, përfshirë Irena Gjoka dhe Altin Dumani, të cilët i lidhi me proceset gjyqësore ndaj tij dhe çështjen “Partizani”.
Në deklaratën e tij, ish-kryeministri përfshiu në akuzat edhe Ergys Agasin, duke pretenduar lidhje të tij me zona të caktuara dhe figura politike.
“Aty gjeta Ergys Agasin bashkë me Irena Dumanin, Irena Maneku Gjoka Dumani. Festonin, Gysi festonte se asnjë mandat ndërkombëtar nuk është lëshuar për arrestimin e tij Gysi gjoja është në kërkim, ai në fakt rrugën më të shpeshtë që bën e bën për në Surrel. Ai është vizitor i shpeshtë i Surrelit. Sot thashë Dumani merr dhe mbiemrin Maneku, sepse në një akt më të turpshëm, flagrant të mbrojtjes së krimit, Edi Rama dhe Altin Dumani nxorën të pafajshme Irenën me pesë mbiemra”, tha ai.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur proceset hetimore ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij vijojnë, ndërsa përplasjet mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë mbeten të forta në vend.







