Kryeministri Edi Rama do të paraqitet si dëshmitar në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme, e cila ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për thirrjen e tij.
Sipas vendimit, Rama do të pyetet në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, lidhur me zhvillimet që kanë të bëjnë me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Kërkesa për dëshminë e tij është bërë publikisht dhe në rrugë ligjore nga vetë Berisha, si dhe nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”.
Organi i akuzës, SPAK, nuk e ka kundërshtuar këtë kërkesë, ndërsa gjykata ka vendosur ta pranojë, duke i hapur rrugë dëshmisë së kreut të qeverisë në seancat në vijim.
Dosja “Partizani” është dërguar për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur ndaj Berishës akuzën për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, duke pretenduar se ai ka ndërmarrë vendime në favor të dhëndrit të tij. Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, me pretendimin se ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi në mënyrë të parregullt.
Në të njëjtën çështje janë nën akuzë edhe persona të tjerë, përfshirë biznesmenin Fatmir Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, të akuzuar për pastrim parash. Po ashtu, në gjykim janë edhe disa kompani të lidhura me këtë aferë.
Gjykata ka pranuar gjithashtu administrimin e të gjitha provave shkresore të paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja, ndërsa procesi pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave në detaje.







