
Nga një bregdet i vogël në Shqipëri drejt një prej skenave më elitare të gastronomisë në Azi, Arsen Brahaj ka ndërtuar një rrugëtim që sot kulmon me një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e shërbimit: çmimin e MICHELIN Guide Service Award për vitin 2026 në Tajlandë.
Në një industri ku përvoja e klientit është po aq e rëndësishme sa ushqimi, shqiptari 30-vjeçar ka arritur të dallohet për një qasje intuitive dhe të përqendruar te klienti, duke e kthyer mikpritjen në art.
Aktualisht menaxher restoranti në “Aulis”, një restorant me një yll MICHELIN në Phang Nga, Brahaj është pjesë e edicionit 2026 të MICHELIN Guide Thailand. Ai flet anglisht, shqip, frëngjisht dhe italisht dhe u transferua në Tajlandë në vitin 2024 si pjesë e ekipit hapës të restorantit.
Më herët, ai ka punuar në Maltë në hotelin InterContinental dhe më pas në restorantin me dy yje MICHELIN “ION Harbour” nga shefi Simon Rogan.
“Nuk e besoja kur dëgjova emrin tim”
Momenti i shpalljes së fituesit ishte i papritur edhe për vetë Brahajn.
“Në fillim mora një email nga Michelin dhe mendova se kërkonin detaje për restorantin. Vetëm më pas kuptova që donin të dhënat e mia personale. Kur mbërrita në ceremoni dhe dëgjova emrin tim, ishte surreal. Nuk e besoja që mund të arrija deri këtu thjesht duke qenë i përulur, i përkushtuar dhe duke bërë çdo klient të ndihet si në shtëpi,” shprehet ai.
Nga një punë verore në pasion jetësor
Rrugëtimi i tij nisi rastësisht në Shqipëri.
“Fillova të punoja në një restorant buzë detit, thjesht për të kaluar verën dhe për të fituar para. Por ndërveprimi me klientët vendas dhe turistët më ndryshoi. Ndërtova miqësi dhe i bëja të ndiheshin si në shtëpi. Aty lindi pasioni.”
Më pas, ai vendosi të thellojë njohuritë duke studiuar në Institutin e Studimeve të Turizmit në Maltë, duke e kthyer këtë profesion në një karrierë të mirëfilltë.
Çfarë është shërbimi i mirë?
Për Brahajn, thelbi i shërbimit qëndron te përvoja.
“Është aftësia për të parashikuar nevojat e klientit dhe për ta surprizuar atë në momentin e duhur. Por mbi të gjitha, është kur klienti largohet me buzëqeshje dhe një kujtim të bukur.”
Nga Denzel Washington te çdo klient i zakonshëm
Një nga momentet më të veçanta në karrierën e tij ishte shërbimi ndaj aktorit të njohur Denzel Washington gjatë xhirimeve të “Gladiator 2” në Maltë.
“Ishte surreal. Ai më thirri në emër, më dha autograf dhe folëm për familjen dhe karrierën. Por për mua, 99.9% e klientëve janë të veçantë. Në fund të darkës, shpesh bëhemi miq.”
“One-man show” në restorant
Në Aulis, Brahaj mban mbi supe një përgjegjësi të plotë.
“Ndryshe nga restorantet e tjera që kanë ekipe të ndara, unë mbuloj çdo rol vetë: somelier, bartender, shërbim, menaxhim. Kjo më ka forcuar shumë profesionalisht.”
Objektivi: dy yje MICHELIN
Ambicia e tij është e qartë.
“Dua të ndihmoj Aulis të arrijë dy yje MICHELIN. Nuk ka rëndësi sa kohë do të duhet. Qëllimi im është të përmirësoj çdo aspekt të restorantit çdo ditë.”
Këshilla për suksesin
Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë:
“Jini vetvetja. Mos u ndalni nga negativiteti. Punoni fort, qëndroni të përulur dhe mësoni nga të gjithë — edhe nga ata që bëjnë gabime. Mësimi nuk ka fund.”
Historia e Arsen Brahajt është një dëshmi e qartë se mikpritja shqiptare, kur kombinohet me disiplinë dhe ambicie, mund të ngjitet deri në majat e gastronomisë botërore.







