Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi në Kuvend se pastrimi i parave të pista është një fenomen i pranishëm jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, duke theksuar se askush nuk mund ta mohojë ekzistencën e tij.
Gjatë fjalës së tij, Braçe solli shembuj ndërkombëtarë për të ilustruar përhapjen e këtij fenomeni, duke përmendur edhe Vatikani, që sipas tij ka qenë pjesë e listës gri për pastrimin e parave.
“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista”, u shpreh Braçe.
Ai theksoi se fenomeni është i përhapur dhe i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme edhe në vendin tonë, duke e thënë hapur:
“Unë vazhdoj të them që ‘po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje’ dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë.”
Megjithatë, deputeti socialist nënvizoi se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë hapa konkretë për të luftuar këtë aktivitet. Sipas tij, Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka referuar raste të shumta në organet e drejtësisë.
“Por ama që ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen, për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista.”
Braçe ngriti gjithashtu shqetësimin për depërtimin e parave të pista në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, veçanërisht në ndërtim, duke kërkuar një rol më aktiv të Kuvendit në mbikëqyrjen e institucioneve përgjegjëse.
“A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, përfundoi ai.







