Braçe kërkon “kokat” e ministrave: Kush abuzon, të largohet nga qeveria
Deputeti socialist Erion Braçe ka rikthyer në Kuvend kërkesën për largimin e ministrave që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit, duke kritikuar mënyrën se si një pjesë e institucioneve menaxhojnë fondet publike.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, Braçe paralajmëroi se mosrealizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara përbën një rrezik serioz për financat publike. Sipas tij, përgjegjësia për këtë situatë nuk mund të mbetet pa pasoja për drejtuesit e institucioneve dhe ministrat që nuk arrijnë të përdorin me efektivitet fondet që u janë vënë në dispozicion.
Socialisti theksoi se nuk mjafton vetëm miratimi i fondeve në letër, nëse më pas ato nuk shpenzohen sipas objektivave të përcaktuara. Ai kërkoi që paaftësia në administrimin e parasë publike dhe, aq më tepër, abuzimi me të, të mos tolerohen nga qeveria.
Braçe rikujtoi se të njëjtën kërkesë e kishte artikuluar edhe një vit më parë në Kuvend, duke këmbëngulur se ministrat që nuk përmbushin detyrimet buxhetore nuk duhet të vijojnë të qëndrojnë në kabinetin qeveritar.
“Mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh. Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit, duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kërkush, padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo”, u shpreh deputeti socialist.
Ai nënvizoi se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar edhe gjatë shqyrtimit të buxhetit të ri, duke kërkuar largimin nga detyra të çdo ministri që vë në rrezik realizimin e planit financiar të shtetit.
“Unë i mbetem të njëjtës kërkesë, që kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më në qeveri”, deklaroi Braçe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



