Zbythet Braçe, heq dorë nga gara për Bashkinë e Tiranës
Erion Braçe ka bërë një hap prapa nga ambicia e tij për t’u bërë kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës. Sipas Lapsi.al, deputeti socialist e njoftoi këtë në Asamblenë e PS-së, ku foli për tri çështje. Njëra prej tyre ishte kundërshtimi i përjashtimit të Elisa Spiropalit nga Asambleja. Tjetra ishte njoftimi se nuk do të kandidojë më për kryeqytetin.
Nuk dihet ende çfarë e shtyu Braçen drejt kësaj kthese. Vetëm pak muaj më parë, ai deklaronte nëpër rrugët e Tiranës dhe në studiot televizive se do ta çonte betejën deri në fund, për të qenë i përzgjedhuri i socialistëve për zgjedhjet e 9 majit.
“Po pres garën dhe do t’i shkoj deri në fund, si gjithmonë, për ta fituar këtë punë, sepse punë është! Unë nuk besoj se socialistët duan një njoftim, por duan të vendosin. Unë nuk besoj se socialistët duan të votojnë një njoftim, por duan të zgjedhin kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës!”, deklaronte Braçe në gusht të këtij viti.
Ambicia e tij për Tiranën nisi pasi u zhvendos nga zona elektorale e tij në Divjakë në njësinë nr. 5 në Tiranë, ku në zgjedhjet e 11 majit, siguroi mbi 23 mijë vota. Kjo ambicie u përplas me qëndrimin e kreut të PS-së. Edi Rama ka deklaruar se kurdo të mbahen zgjedhjet në Tiranë, kandidatja e PS do të jetë Ogerta Manastirliu.
Pyetja tani është pse tani. A e kuptoi Braçe se nuk kishte forcë të përballej me vendimin e partisë? Mos ka arritur ndonjë marrëveshje me Ramën? Apo nuk e kishte vërtet me gjithë mend që në fillim?
Nuk është hera e parë që qëndrimet e Braçes nuk përputhen me veprimet e tij. Para votimit të ndarjes së re territoriale, ai ngriti zë të fortë kundër saj dhe foli publikisht për zhgënjimin që kishte ndier gjatë 30 viteve në politikë. Në fund, megjithatë, u rreshtua me grupin dhe e votoi hartën e re territoriale.
Braçe e shpalli vetë se donte të drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe se do ta çonte betejën deri në fund. Tani ai po largohet nga gara para se ajo të nisë, edhe pse në Asamble mbrojti Spiropalin, e cila mbeti jashtë pikërisht pse kundërshtoi partinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



