“Dy Tigrat” e Vlorës, termocentralet lundruese të vendosura në vjeshtën e vitit 2022 si përgjigje ndaj krizës energjetike, po rezultojnë një investim me kosto të lartë dhe ndikim minimal në prodhimin e energjisë.
Këto njësi, pjesë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, nuk u vunë kurrë në punë në kapacitet të plotë. Sipas të dhënave më të fundit, gjatë vitit 2025 ato prodhuan vetëm 77 mijë MWh energji, që përbën rreth 1% të prodhimit neto vendas prej 7.44 milionë MWh — një kontribut thuajse i papërfillshëm në sistemin energjetik.
Termocentralet lundruese, të njohura si “Dy Tigrat”, janë pjesë e një strukture më të gjerë prodhuese që përfshin hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, TEC-in e Vlorës dhe impiantin fotovoltaik “Qyrsaq”. Në total, kapaciteti i instaluar i këtyre aseteve arrin rreth 1,563 MW, ku 1,350 MW i përkasin hidrocentraleve, 98 MW TEC-it të Vlorës dhe 110 MW dy njësive lundruese.
Megjithatë, prodhimi nga gjeneratorët termikë është rezultuar shumë i kushtueshëm. Një skenar i vitit 2023 parashikonte prodhim prej 884 GWh me një kosto rreth 185 euro/MWh, ose afro 165 milionë euro në total — një plan që nuk u realizua. Ndërkohë, vlera e vetë gjeneratorëve llogaritet rreth 15 milionë euro, ndërsa qiraja fillestare dyvjeçare arriti në 46 milionë dollarë, një shumë që është rritur më tej për shkak të zgjatjes së qëndrimit të tyre.
Kontrata e lidhur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, me një kosto prej 94 mijë dollarë në ditë dhe e ndërmjetësuar nga Belinda Balluku, synonte përballimin e krizës energjetike të asaj kohe. Por në praktikë, sipas kritikëve, ajo është kthyer në një barrë të rëndë financiare për buxhetin e shtetit.
Ndërsa gjeneratorët kanë qëndruar kryesisht jashtë funksionit, pagesat kanë vijuar rregullisht, duke garantuar fitime për operatorët pa një prodhim real energjie. Sipas ambientalistëve dhe ekspertëve të sektorit, kjo çështje konsiderohet një nga rastet më problematike në menaxhimin e krizës energjetike, me kosto që, sipas tyre, kanë tejkaluar përfitimet e synuara.







