Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Skelës në Vlorë, ku një fëmijë vetëm 3 vjeç ka humbur jetën pasi ka rënë nga një pallat shumëkatësh, dyshohet nga kati i katërt.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri është gjetur në gjendje kritike menjëherë pas incidentit, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë ekipet e ndihmës së shpejtë. Ai është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda të shkaktuara nga rënia.
Rrethanat e plota të kësaj tragjedie mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e ngjarjes. Burime paraprake bëjnë me dije se po verifikohet çdo element që lidhet me sigurinë dhe mbikëqyrjen në momentin e aksidentit.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa priten detaje të tjera në orët në vijim.







