Humbja e Viktor Orban, Elisa Spiropali “shuplakë” Edi Ramës

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Europa nuk matet nga sa larg shkon pushteti, por nga sa fort funksionojnë kufijtë”

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas fitores së opozitës në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sinjal të fortë jo vetëm për vendin, por për gjithë Europën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thekson se ndryshimi politik në Hungari nuk përfaqëson thjesht rotacion pushteti, por një reflektim më të thellë mbi funksionimin e demokracisë në kontinent.

Ajo nuk i ka kursyer as mesazhet indirekte për kryeministrin Edi Rama, duke nënvizuar se edhe në sisteme të konsoliduara në pushtet ekziston gjithmonë hapësirë për ndryshim.

Sipas saj, fitorja e Péter Magyar ndaj Viktor Orbán dëshmon se energjia politike nuk shuhet, por pret momentin e duhur për t’u shprehur.

Spiropali thekson se kjo kthesë politike është një kujtesë për rëndësinë e balancës së pushteteve dhe për rolin e shoqërive në mbrojtjen e vlerave demokratike, sidomos në një kohë kur Europa përballet me ndikime të jashtme dhe sfida të brendshme.

Reagimi i plotë:

Hungaria dhe prova e Europës

Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.

Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.

Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.

Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.

Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.

Kjo është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë: Europa nuk është një gjendje e përhershme. Është një proces i vazhdueshëm për të mbajtur, mbrojtur dhe forcuar demokracinë funksionale.

Në këtë kuptim, Hungaria nuk është vetëm Hungari. Është një provë për të gjithë ne.

Sepse Europa nuk matet nga sa larg shkon pushteti, por nga sa fort funksionojnë kufijtë e tij.

Publikuar nga Publik Media