Dy të penduar ‘zbërthejnë’ dosjen e kokainës në Frakull

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

SPAK bind dy persona të bashkëpunojnë me drejtësinë

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga dosja e bujshme e kokainës së zbuluar në Frakull, ku dy persona kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë në cilësinë e të penduarve.

Mësohet se bëhet fjalë për dy individë të dënuar më herët, një me shtetësi shqiptare dhe një i huaj, të cilët pritet të japin dëshmi të detajuara mbi aktivitetin kriminal dhe rrjetin e personave të përfshirë.

Burimet bëjnë me dije se hetuesit janë duke verifikuar deklarimet e tyre, ndërsa “zbërthimi” i plotë i grupit mund të çojë në identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të implikuar në këtë trafik ndërkombëtar droge.

Çështja në fjalë lidhet me një nga operacionet më të mëdha të goditura nga SPAK, i cili më 8 dhjetor 2023 njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes ndaj ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë.

Ata akuzohen për trafikimin nga Kolumbia të rreth 485.5 kilogramë kokainë, e cila ishte përzier me pleh kimik për të shmangur zbulimin.

Droga u sekuestrua më 24 nëntor 2022 në banesën e Viktor Çervanakut, e cila sipas hetimeve ishte përshtatur si laborator për përpunimin e kokainës.

Sipas SPAK, nëse kjo sasi do të hidhej në treg, do të gjeneronte rreth 40 milionë euro përfitime.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu itinerarin e drogës, e cila ishte transportuar nga Kolumbia drejt Greqisë, përmes Portit të Pireut, më pas në Malin e Zi përmes Portit të Barit dhe në fund është futur në territorin shqiptar me rrugë tokësore më 19 shtator 2022.

Zhvillimet e fundit me dy të penduar pritet të thellojnë hetimet dhe të zbulojnë hallka të tjera të këtij rrjeti të strukturuar kriminal.

Publikuar nga Publik Media