Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në vend, të cilat kanë hyrë në fuqi që prej datës 15 prill 2026, në orën 13:30. Sipas vendimit më të fundit, nafta dhe benzina do të tregtohen me tarifa të përcaktuara si për shitjen me pakicë, ashtu edhe për atë me shumicë.
Çmimi maksimal i lejuar për naftën (gazoilin sipas standardit SSH EN 590) në tregun me pakicë është caktuar në 207 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë nuk duhet të kalojë nivelin e 195 lekëve për litër.
Ndërkohë, benzina do të shitet maksimalisht me 174 lekë për litër për konsumatorët, ndërsa në tregun me shumicë çmimi tavan është përcaktuar në 162 lekë për litër.
Këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të bëhet një rivlerësim në varësi të luhatjeve të tregut.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve që operojnë në tregun e karburanteve të zbatojnë me përpikëri vendimin e marrë. Në të kundërt, çdo shkelje e konstatuar do të shoqërohet me masa të forta, deri në pezullimin e aktivitetit.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë theksuar angazhimin për të mbrojtur interesin e konsumatorëve dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg.
Në një sqarim shtesë, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën pragjet e përcaktuara nga akti normativ i miratuar në fillim të muajit prill. Për këtë arsye, akciza mbi karburantet do të vijojë të aplikohet në nivel të plotë, pa reduktim.







