Kanosën dhe i kërkuan 30 mijë euro 30-vjeçarit, 3 të arrestuar

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një rast i rëndë i kanosjes është zbardhur në Vlorë, ku tre persona kanë përfunduar në pranga pasi dyshohet se i kërkuan një 30-vjeçari shumën prej 30 mijë eurosh dhe i morën automjetin si garanci.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja u denoncua nga vetë i riu, i cili deklaroi se ishte kërcënuar në ambientet e një lokali nga tre persona, të cilët dyshohet se mbanin edhe armë zjarri. Ata i kanë kërkuar paratë dhe, deri në sigurimin e shumës, i kanë marrë automjetin tip “BMW”, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas kallëzimit, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës u ngrit një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe përdorimit të metodave proaktive hetimore, specialistët për krimet ndaj pasurisë, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Seksionin Operacional, finalizuan operacionin e koduar “Strike”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i tre të dyshuarve: A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur mesditën e një dite më parë, në lagjen “Pavarësia”, ku të arrestuarit kanë kanosur 30-vjeçarin me qëllim përfitimin e shumës së parave dhe më pas i kanë marrë automjetin.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për vijimin e procedurave, ndërsa ndaj të arrestuarve rëndon akuza për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Finalizohet operacioni i koduar “Strike”, si rezultat i administrimit dhe ndjekjes së menjëhershëm të kallëzimit të një shtetasi.
Kanosën një 30-vjeçar, që t’iu jepte 30 000 euro, dhe i morën automjetin atij, falë veprimeve të shpejta të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen automjeti i të arrestuarve dhe automjeti që ata i morën 30-vjeçarit.
Pas kallëzimit nga një 30-vjeçar, se dje, në një lokal, e kishin kanosur për t’i marrë një shumë parash, 3 shtetas, të cilët dyshohet se kishin armë zjarri me vete, dhe më pas i kishin marrë automjetin, deri në dhënien e parave të kërkuara menjëherë është ngritur një grup i posçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera, si administrimi i provave dhe kryerja e veprimeve hetimore me metoda proaktive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Seksionit Operacional, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike”, në kuadër të të cilit u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimit i 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve:
-A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, mesditën e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, kanë kanosur 30-vjeçarin K. S., banues në Vlorë, që t’iu jepte 30 000 euro, më pas i kanë marrë automjetin e tij tip “BMW” dhe janë larguar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Publikuar nga Publik Media