Prodhoi 27% të parave ‘fake’ në Europë
Një operacion që ngjan me skenar filmi është zbuluar në Napoli, ku autoritetet italiane kanë çmontuar një laborator të fshehtë të prodhimit të parave false, i vendosur pas një muri të maskuar brenda një garazhi.
Pas hetimeve të gjata, policia arriti të zbulojë se gjithçka drejtohej nga një person i vetëm, i cili kishte ndërtuar një linjë të mirëorganizuar prodhimi. Brenda ambientit u gjetën plot 31 makina printimi që funksiononin pandërprerë, duke prodhuar kartëmonedha false në prerje 20, 50 dhe 100 euro.
Vlera totale e parave të falsifikuara arrinte në rreth 11 milionë euro, nga të cilat afërsisht 8 milionë kishin hyrë tashmë në qarkullim në tregjet europiane. Shpërndarja e tyre dyshohet se ishte bërë kryesisht përmes Franca, duke u përhapur më pas në disa vende të tjera.
Sipas Bankës Qendrore Europiane, cilësia e falsifikimeve ishte jashtëzakonisht e lartë. Elementët e sigurisë, përfshirë edhe hologramet, ishin realizuar me një saktësi që i bënte të vështira për t’u dalluar nga kartëmonedhat origjinale.
Hetimet treguan se këto para false janë identifikuar në të paktën 10 shtete të ndryshme, përpara se autoritetet të arrinin të gjurmonin burimin dhe të çonin te organizatori i vetëm i këtij aktiviteti kriminal.
Rasti ka ngritur shqetësime të reja për nivelin e avancuar të falsifikimit dhe sfidat që paraqet për institucionet financiare dhe organet e sigurisë në të gjithë Europën.







