Negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian janë kthyer në mollë sherri për politikën, duke i ndarë kampet në qëndrime krejtësisht të kundërta. Njëra palë flet për bllokimin e procesit, ndërsa pala tjetër këmbëngul se nuk ka pengesa dhe se gjithçka po ecën sipas ritmit të zakonshëm teknik të negociatave.
Përplasja nuk është e re, por këtë herë ajo është përqendruar rreth një dokumenti teknik, IBAR (Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme) një raport vlerësimi teknik i Komisionit Europian që shërben si bazë për vendimin e shteteve anëtare të BE-së nëse Shqipëria mund të kalojë në fazën tjetër të negociatave.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë të bllokuara. Ai e përshkruan situatën me tone alarmante, duke theksuar se vendet anëtare të BE-së kanë refuzuar miratimin e raportit dhe se procesi është bllokuar.
Sipas Berishës, pa unanimitet “Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull”, ndërsa paralajmëron se vendi rrezikon të përballet edhe me “ndëshkime të rënda” nëse kjo situatë vijon.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama e hodhi poshtë deklaratën si “gënjeshtër të madhe”. Në komunikimet e tij publike, ai këmbëngul se negociatat “nuk janë bllokuar” dhe se puna “vazhdon përditë”, ndërsa rezultatet pozitive janë çështje kohe. Në të njëjtën linjë, edhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e ka përkthyer situatën si një fazë normale, ku shtetet anëtare thjesht “bëjnë pyetje shtesë”.
Shqipëria në vend numëro
Mes këtyre dy qëndrimeve, e vërteta duket më pak dramatike nga sa pretendon opozita, por edhe më pak optimiste nga sa këmbëngul qeveria.
Komisioni Evropian argumenton për Faktoje.al se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në kriteret themelore, veçanërisht në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, Komisioni ka dhënë një vlerësim pozitiv për përmbushjen e kushteve ndërmjetëse dhe ka paraqitur raportin IBAR në Këshillin e BE-së.
“Komisioni ka paraqitur vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Pikave të Përkohshme, si dhe një draft të Qëndrimit të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1 në Këshill. Tani u takon shteteve anëtare të bien dakord mbi një Qëndrim të Përbashkët të BE-së për Klasterin 1, i cili do të përcaktojë standardet përmbyllëse në fushën e Shtetit të së Drejtës,” sqaron KE për Faktoje, duke e lënë hapin vendimtar në duart e Këshillit të BE-së.
Me pak fjalë, Komisioni Evropian dhe vendet anëtare e shohin ndryshe ecurinë e Shqipërisë. Kjo nuk është një “jo” për Shqipërinë, por as një “po”. Mungesa e konsensusit të vendeve anëtare e lë Shqipërinë në gjendje pezull, negociatat nuk avancojnë, kapitujt nuk mbyllen. Procesi mbetet në pritje. Por, në dallim nga një bllokim formal, dera mbetet e hapur.
Çështja ‘Balluku’
Sipas ish-kryenegociatorit të Shqipërisë për BE, Zef Mazi, procesi i miratimit të IBAR në Këshillin e BE-së mbetet thellësisht politik dhe i shoqëruar me rezerva nga disa shtete anëtare, të cilat sipas tij e shohin si “shumë herët për të folur për IBAR” dhe se Shqipëria “nuk i ka përmbushur kushtet për të ecur përpara në rrugën e integrimit”.

“Trajtimi i çështjes Balluku ka rëndesi të madhe në kuadrin e miratimit të raportit IBAR nga Këshilli. Miratimi i raportit të Komisionit dhe qendrimi i Këshillit janë thelbësore që Shqipëria të ecë përpara në negociata dhe të jetë në gjendje të mbyllë një apo disa kapituj”, thotë Mazi për Faktoje.
Ai thekson se në mbledhjet e fundit të Këshillit janë ngritur një numër i lartë pyetjesh kritike ndaj Komisionit Europian, çka sipas tij tregon synime për të ngadalësuar ose kushtëzuar më tej procesin.
“Toni i tyre dhe dy debatet e mëpareshme paralajmëruan temperaturën e debatit të 20 Marsit. Në mbledhje doli se shumica e propozimeve kritike u pranuan nga Presidenca. Komisionerja njoftoi se kishte marrë 43 pyetje nga anëtarët. Numri i lartë është i qartë, flet për synimet e shteteve kritike për të ngadalësuar ose penguar”, argumenton më tej ish kryenegociatori i Shqipërisë Zef Mazi.
Në këtë debat, disa vende si Italia, e mbështetur nga Hungaria, Estonia dhe Austria, sipas tij kanë ngritur shqetësimin se zgjerimi me Ballkanin Perëndimor ka arritur në një “udhëkryq strategjik”, ku BE duhet të vendosë nëse do të ruajë kredibilitetin e procesit të zgjerimit apo rrezikon të humbasë rajonin, duke e përkthyer debatin për IBAR në një çështje më të gjerë politike sesa thjesht teknike.
Në këtë kuadër, Z.Mazi thekson se ende nuk është e qartë nëse kampi skeptik do të bindet të lejojë avancimin dhe në çfarë afati kohor mund të konsiderohet i pranueshëm IBAR, duke reflektuar kështu një proces ende të hapur dhe të kontestuar brenda BE-së.
Vonesa me pasoja
Drejtori ekzekutiv i “Lëvizjes Europiane Shqiptare”, Gledis Gjipali, thekson për Faktoje se vetë IBAR është një instrument relativisht i ri dhe pa precedent të konsoliduar krahasimi.
“IBAR është një instrument i ri i aplikuar nga BE, dhe për këtë arsye nuk ka një eksperiencë të mjaftueshme për të bërë krahasime”, thotë ai, duke shtuar se metodologjia e re e zgjerimit nuk parashikon afate të përcaktuara për fazat e procesit. “Në metodologjinë e re nuk përcaktohen afate për asnjë nga hapat, pasi gjithçka është në varësi të ecurisë së vendit përkatës”, shpjegon Gjipali.

Ai sjell në vëmendje edhe rastin e Mali i Zi, i cili mbetet i vetmi vend që ka marrë një raport pozitiv IBAR deri më tani, në vitin 2024. “Mali i Zi është i vetmi vend që ka marrë raport pozitiv IBAR dhe i janë dashur më shumë se 10 vite, por duke ndjekur metodologjinë e vjetër”, thekson ai.
Sa i përket Shqipërisë, Gjipali e konsideron rast të veçantë për shkak të ritmit të shpejtë në hapjen e negociatave, çka mund të ndikojë edhe në kohën e vendimmarrjes.
“Shqipëria është një rast i veçantë për shkak të shpejtësisë së procesit dhe për këtë arsye pritet një vendimmarrje më e shpejtë për IBAR”, thotë ai, duke theksuar megjithatë se vendimi kërkon unanimitet të plotë nga të gjitha vendet anëtare.
Sipas tij, vonesat nuk janë pa pasoja.
“Vonesa në miratimin e IBAR ndikon në proces, në radhë të parë në aspektin politik, pasi krijon një stepje dhe hap më shumë pikëpyetje për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit”, argumenton Gjipali, duke shtuar se ndikimi është edhe praktik, pasi “kalendari për mbylljen e negociatave deri në fund të 2027 vihet në dyshim”.
Përfundim
Deri në fund të vitit 2025, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave me BE-në sipas metodologjisë së re, por kjo fazë nuk përbën përmbyllje të procesit, pasi sfida kryesore mbetet përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe përfundimtare në Kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Në këtë kuadër, Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR) është mekanizmi teknik që lidh fazën e hapjes së kapitujve me atë të mbylljes së tyre. Ai vlerëson nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet, por vendimi përfundimtar mbetet politik dhe kërkon konsensus mes shteteve anëtare në Këshillin e BE-së.
Vendimmarrja mund të ndodhë në disa momente të mundshme gjatë vitit, por në çdo rast varet nga dakordësia politike e vendeve anëtare dhe formalizohet përmes një konference ndërqeveritare BE–Shqipëri./Faktoje







