Naim Noka
Ka një vijë të qartë ndarëse mes drejtimit të një emisioni dhe dominimit të tij. Të drejtosh një panel do të thotë të krijosh hapësirë për zëra të ndryshëm, jo t’i mbysësh ata. Të ftuarit nuk janë dekor, as sfond për një monolog të zgjatur; prania e tyre nënkupton të drejtën për të folur, për të kundërshtuar dhe për t’u dëgjuar.
Arroganca, ngritja e zërit, ndërprerjet e vazhdueshme, kakofonia tipike shqiptare, fyerjet apo dhënia e urdhrave nuk janë instrumente moderimi. Janë shenja të mungesës së tij. Nëse qëllimi është të flasë vetëm moderatorja Grida, atëherë formati është i qartë: një “Gridolog”, jo një debat. Paneli nuk mund të kthehet në arenë ku fjala merret me forcë dhe ku komunikimi degradohet në zhurmë.
Publiku, edhe pse kjo ndodh në shumë emisione në mediat e vjetra audiovizive, nuk është i detyruar të dëgjojë përplasje pa kuptim, ku askush nuk artikulon dot një mendim të plotë. Jo çdo program ka nevojë të imitojë modele si Big Brother, Ferma VIP apo Përputhen. Debati kërkon qartësi, ritëm dhe, mbi të gjitha, etikë komunikimi.
Moderimi nuk është hetim, as gjykim. Nuk është rol policor apo të bësh prokuroren. Nuk është kërkim llogarie me tone urdhëruese. Edhe institucionet që e kanë këtë funksion operojnë, të paktën në parim, mbi procedurë dhe dinjitet — aq më tepër një studio televizive duhet ta ruajë këtë standard. Të kërkosh llogari vetëm tek opozita e Lelës, e cila ka mjaft probleme, dhe në mënyrë selektive, duke shmangur llogaridhënien reale të pushtetit e duke e zhvendosur fokusin tek ata që kanë më pak peshë, e deformon vetë qëllimin e debatit.
Ka një parim të thjeshtë: çdo sjellje prodhon reagim. Përballë një qasjeje agresive, dikush zgjedh heshtjen, dikush ironinë, dikush përballjen e drejtpërdrejtë. Lela zgjodhi “TopGishtin”. Por kjo nuk e ndryshon përgjegjësinë themelore të moderatorit: të ruajë ekuilibrin dhe të qetësojë situatën, jo ta përshkallëzojë atë.
Të ftuarit nuk janë as fëmijë, as vartës. Nuk janë aty për të marrë urdhra, por për të dhënë mendim. Roli i moderatorit është të marrë informacion dhe ta strukturojë atë për publikun, jo të imponojë veten mbi të.
Në fund, mbetet një standard profesional: të mësosh moderimin, jo ta zëvendësosh me imitim apo impuls. Ka modele që e ndërtojnë autoritetin përmes qetësisë, respektit dhe një pranie të balancuar në ekran. Aty ndërtohet besimi i publikut.
Dhe, përtej kritikës, një vlerësim i merituar për ata moderatorë që e kuptojnë këtë rol dhe e ushtrojnë me qytetari — duke e bërë panelin një hapësirë të hapur, ku fjala respektohet dhe dëgjuesi nuk humbet në kakofoni. Por ky stan i medias së blerë në këtë vend nuk mund të ketë bylmet tjetër. Ndaj u bë viral edhe gishti i Lelës dhe i Gridës. Aspak me “grintë”, aspak qytetare kjo luftë e “gishtave”.







