Shpërthimi i Spiropalit, zbardhen ‘kulisat’ e shantazheve nga Tatimet

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Zbulohen prapaskenat e forta të përplasjeve mes socialistëve

Përplasja mes Elisa Spiropalit dhe drejtuesve kryesorë të mazhorancës, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun, duket se ka hyrë në një fazë të pakthyeshme, duke kaluar nga pakënaqësitë e brendshme në akuza të hapura publike.

Këtë të premte, ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Jashtme ka publikuar një reagim të gjatë, ku përshkruan me tone të forta gjendjen e Partisë Socialiste dhe mënyrën se si, sipas saj, po funksionon sot pushteti. “Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. ‘Drejtorokracia’ është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, shkruan ajo.

Kjo dalje është parë si një nga kritikat më të forta që një figurë e nivelit të saj i adreson drejtpërdrejt lidershipit aktual, duke reflektuar një alarm të ngjashëm me paralajmërimet e mëhershme për keqmenaxhimin dhe abuzimet në sistem.

Në thelb të reagimit të saj qëndron shqetësimi për rrëshqitjen e institucioneve drejt kontrollit informal dhe për dobësimin e funksionimit demokratik. Spiropali shprehet se vendimmarrja nuk po udhëhiqet më nga ligji, por nga vullneti i një grupi të kufizuar: “Institucione që punojnë jo sipas ligjit, por sipas vullnetit të pak njerëzve… që shndërrohen në instrumente presioni”. Më tej ajo shton: “në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij”.

Në të njëjtën linjë, burime nga administrata tatimore bëjnë me dije se janë ndërmarrë kontrolle të detajuara ndaj bizneseve të lidhura me familjarë të Spiropalit. Sipas këtyre burimeve, një grup inspektorësh është angazhuar në verifikime intensive, të cilat janë perceptuar si të motivuara nga zhvillimet politike. Një prej tyre, duke folur në kushte anonimiteti, përshkruan situatën: “Ne nuk na u tha se ku do shkonim, vetëm kur mbërritëm tek biznesi, e morëm vesh se kjo kishte lidhje me Elisën. Unë dhe një koleg tjetër u ndjemë shumë keq, nuk donim të vijonim atë raprezialje… por urdhri është urdhër”.

Këto zhvillime duket se përputhen edhe me vetë deklaratat e Spiropalit, e cila flet për një realitet ku administrata vihet në shërbim të presionit: “realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku… pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë”.

Paralelisht me këto zhvillime, në media pranë qeverisë janë shtuar sulmet ndaj saj dhe familjarëve të saj, çka ka përforcuar bindjen për një përplasje të koordinuar. Ajo vetë e përshkruan këtë situatë me këto fjalë: “Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë”.

Sipas zhvillimeve në terren politik, kjo përplasje lidhet edhe me balancat e reja që po projektohen brenda Partisë Socialiste, ku përflitet për një rol më të zgjeruar të Belinda Ballukut në drejtimin e partisë. Në këtë aspekt, qëndrimet kritike të Spiropalit shihen si pengesë për një riorganizim pa kundërshti.

Megjithatë, vetë Spiropali duket e vendosur të mos tërhiqet. “Nuk kam frikë nga sulmet… Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata”, shprehet ajo.

Në fund, ajo e zgjeron mesazhin përtej konfliktit personal, duke e paraqitur si një çështje që lidhet me vetë funksionimin e shtetit: “Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por Koha e kërkon. Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale.”

Publikuar nga Publik Media