Skandal në Vlorë, Bashkia jep plot 260 euro në muaj për 1 qen

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Qytetarët marrin vetëm 35 euro ndihmë ekonomike

Një debat i ashpër është hapur në Vlorë pas publikimit të qëndrimit të anëtarit të Këshillit Bashkiak, Gjergji Nika, lidhur me një projekvendim për ngritjen e një strehëze për qentë endacakë në qytet.

Sipas Nikës, iniciativa e Bashkisë së Vlorës për krijimin e një strukture me kapacitet prej 100 qenësh është në thelb pozitive dhe e nevojshme, por kostot e parashikuara për zbatimin e saj janë të pajustifikuara dhe kërkojnë transparencë të plotë.

Ai bën me dije se për periudhën maj–dhjetor 2026, buxheti total i projektit arrin në rreth 260 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen pagat e stafit, shpenzimet operative dhe investimet për ambientin, përfshirë qiranë dhe pajisjet. Sipas përllogaritjeve, kjo përkthehet në një kosto mujore prej rreth 260 euro për çdo qen të strehuar.

Ky nivel shpenzimi, sipas tij, ngre pikëpyetje serioze për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, sidomos kur krahasohet me mbështetjen financiare për qytetarët në nevojë.

Në reagimin e tij, Nika thekson se pensioni minimal në vend është rreth 107 euro në muaj, ndihma ekonomike për familjet në nevojë rreth 35 euro, ndërsa ushqimi për një fëmijë në kopsht llogaritet rreth 48 euro në muaj. Në këtë kontekst, ai vë në dukje kontrastin e fortë mes fondeve të destinuara për kafshët dhe atyre për shtresat vulnerabël.

Gjithashtu, ai nënvizon se për kujdesin social në buxhetin e vitit 2026, Bashkia e Vlorës ka parashikuar rreth 310 mijë euro në total, një shumë që për periudhën 8-mujore zbret në rreth 207 mijë euro – më pak se fondi për strehëzën e qenve.

Anëtari i këshillit shprehet se nuk bëhet fjalë për të vendosur në përballje kujdesin ndaj kafshëve me atë ndaj njerëzve, por për të kërkuar një balancë më të drejtë dhe përdorim më efikas të parave publike. Sipas tij, institucionet duhet të garantojnë që çdo shpenzim të jetë i arsyetuar dhe në përputhje me prioritetet sociale të komunitetit.

Debati për këtë projekt pritet të vijojë edhe në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Bashkiak, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Bashkia do të rishikojë kostot apo do të ecë përpara me planin aktual.

Publikuar nga Publik Media