Zjarri te“Arlis”, banorët bëjnë peticion me 10 kërkesa urgjente

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kërkohet dëmshpërblim dhe garanci sigurie

Banorët e kompleksit “Arlis”, në zonën e Farmacisë 10, kanë nënshkruar një peticion pas zjarrit të rënë në godinë, duke paraqitur një sërë kërkesash që lidhen me sigurinë, transparencën dhe dëmshpërblimin.

Në dokumentin e tyre, banorët kërkojnë fillimisht mbulimin e shpenzimeve të qirasë deri në rikthimin e apartamenteve në gjendje të banueshme, si dhe formalizimin ligjor të çdo hapi të këtij procesi.

Një ndër pikat kryesore të peticionit është realizimi i një ekspertize të pavarur teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë, si dhe zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me produkte të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.

Banorët kërkojnë gjithashtu një audit të plotë të sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, duke përfshirë alarmet, pajisjet e fikjes dhe rrugët e evakuimit, si dhe transparencë nga kompania ndërtuese mbi materialet dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.

Në peticion theksohet edhe nevoja për përgjegjësi ligjore dhe administrative në rast se konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, përfshirë moscertifikimin e impianteve elektrike.

Ndër kërkesat e tjera përfshihen:

  • Dëmshpërblimi i plotë për banorët dhe bizneset e dëmtuara
  • Formalizimi i kontratave pranë noterit
  • Rikthimi i apartamenteve sipas kushteve të kontratës
  • Sigurimi i strehimit të përkohshëm për familjet e prekura
  • Pajisja e kompleksit me hidrantë dhe sisteme funksionale kundër zjarrit

Banorët nënvizojnë gjithashtu domosdoshmërinë e zbatimit të standardeve europiane të sigurisë (EN), duke kërkuar certifikim të detyrueshëm për instalimet elektrike, ujore, të gazit dhe ashensorëve, si dhe kontrolle periodike të tyre.

Në përfundim, ata bëjnë thirrje për ndërhyrje institucionale dhe hartimin e një kuadri ligjor që garanton sigurinë afatgjatë të ndërtesave dhe jetës së qytetarëve.

PETICIONI I BANORËVE:

Përshëndetje banorë të kompleksit Arli! Mendoj se kërkesat tona të përmbledhura, janë si më poshtë:

  1. Ekspertizë e pavarur dhe e detajuar teknike për të vlerësuar sigurinë e materialeve termoizoluese të përdorura në fasadë.
  2. Zëvendësimi i menjëhershëm i çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara dhe rezistente ndaj zjarrit, sipas standardeve europiane.
  3. Audit i plotë i sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë: sistemet e alarmit, pajisjet e fikjes së zjarrit, rrugët e evakuimit.
  4. Transparencë nga kompania ndërtuese, mbi materialet e përdorura dhe kontrollin e cilësisë gjatë ndërtimit.
  5. Përgjegjësi ligjore dhe administrative, nëse konstatohet neglizhencë apo shkelje e standardeve të sigurisë, për mos certifikimin e impianteve elektrike, etj.
  6. Zhdëmtimi i të gjithë banorëve dhe bizneseve të dëmtuara.
  7. Kontratat e porosisë të formalizohen pranë noterit.
  8. Apartamentet të rikthehen në gjendjen e mëparshme, sipas përmbajtjes së kontratës.
  9. Të sigurohet strehimi dhe të mbulohen shpenzimet e qirasë për banorët, apartamentet e të cilëve janë dëmtuar/djegur.
  10. Kompleksi të pajiset me hidrantë dhe fikse zjarri funksionale, pasi aktualisht kanë qenë jashtë funksionit…

Doja të shtoja që Normat e Sigurise Europiane EN, duhen përdorur tek ne si në çdo vënd Europian, psh:

Detytimi i Kontrollit të instalimeve, ujë, energji elektrike, gas, ashensor etj:

  1. Për gjithë instalimet e kryera, duhet certifikata Sigurie dhe garancie sipas standardeve evropiane..
  2. Duhet me vërtet një projektligj, që pas e shumta 20 vitesh të kryhet kontroll i detyrueshëm i gjendjes së gjithë instalimeve të kryera.
  3. Salvavita e detyrueshme për gjithë Instalimet elektrike qendrore dhe në çdo banesë.
  4. Matja e tokëzimit, i cili është pjesa me rëndësishme e të gjithë instalimeve elektrike.

Me respekt,

Banorët e pallatit “Arlis”

(Tiranë, zona “Farmacia 10”)

Publikuar nga Publik Media