Aulon Kalaja: Këta të rrahin dhe nuk të lënë të qash

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Aktivisti paralajmëron dy kallëzime: Më goditën 4 policë në protestë

Aktivisti Aulon Kalaja ka reaguar pas përfundimit në spital pas protestës së opozitës në Tiranë, duke pretenduar se është dhunuar nga efektivë të policisë gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës.

Në një intervistë në media, ai deklaroi se është goditur disa herë në pjesën e qafës dhe trupit, ndërsa ndaj tij janë përdorur edhe spraj me lëndë irrituese. Sipas tij, situata agravoi në momentin kur tentoi të ndihmonte një protestues tjetër, çka më pas çoi në përshkallëzimin e dhunës ndaj tij.

Kalaja tregoi se si pas goditjeve ka humbur ndjenjat dhe është transportuar drejt spitalit të Traumës, ku mjekët i kanë konstatuar dëmtime në pjesën e kokës dhe qafës, duke i rekomanduar mbajtjen e qafore për disa javë. Ai shton se edhe pas daljes nga spitali vazhdon të ketë shqetësime fizike, kryesisht në qafë dhe sy.

Nga ana tjetër, ai kundërshton pretendimet e policisë se ka ushtruar dhunë ndaj efektivëve, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë përplasje me forcat e rendit dhe se sjellja e tij në protestë ka qenë paqësore.

Aktivisti bëri të ditur se do të ndërmarrë hapa ligjorë, duke paralajmëruar dy kallëzime: një për akuzën që e konsideron të rreme ndaj tij për “goditje për shkak të detyrës”, dhe një tjetër për atë që e cilëson si trajtim çnjerëzor gjatë protestës.

Sipas tij, ndërhyrja e policisë ka qenë e pajustifikuar dhe joproporcionale, ndërsa shtoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi i tij në protesta, pavarësisht asaj që e cilëson si përpjekje për intimidim.

Publikuar nga Publik Media