“Blloku”, kokaina dhe arratia, e shkuara e errët e Ervin Matës
Nga përplasjet me Ervis Martinajn, tek fejesa me Elvana Gjatën
Arrestimi i Ervin Matës në Brazil ka rikthyer në vëmendje një nga figurat më të përfolura të botës së krimit në Shqipëri, duke nxjerrë në pah jo vetëm aktivitetin e tij të dyshuar kriminal, por edhe episodet më të bujshme që kanë shoqëruar emrin e tij ndër vite.
Sipas Policisë së Shtetit, 39-vjeçari kishte arritur të qëndronte i fshehur në Brazil duke përdorur dokumente britanike të falsifikuara. Ai akuzohet për përfshirje direkte në trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë, si dhe për një sërë veprash të tjera penale që lidhen me krimin e organizuar.
Për vite me radhë, Mata konsiderohej si një emër që përmendej me zë të ulët, ndërsa aktiviteti i tij dyshohej të shtrihej në disa vende. Emri i tij doli për herë të parë publikisht pas një prej ngjarjeve më të rënda kriminale në Tiranë.
Përplasja me Ervis Martinaj në Bllok
Ngjarja që e bëri të njohur për publikun ndodhi më 4 tetor 2018, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Një përplasje me armë zjarri në ambientet e një lokali përfundoi me një viktimë, Fabjol Gaxha, truproja e Ervis Martinajt, ndërsa mbetën të plagosur vetë Martinaj dhe Eljon Hato.
Sipas hetimeve të kohës, konflikti kishte nisur si debat brenda lokalit dhe më pas kishte degraduar në përdorim armësh. Pas ngjarjes, Mata u largua dhe u vetëdorëzua disa muaj më vonë, duke pretenduar se kishte vepruar nga frika për jetën.
Fillimisht, u raportua se shkaku i konfliktit lidhej me një incident personal, ku përfshihej këngëtarja Elvana Gjata, e cila në atë periudhë ishte në një lidhje me Matën. Por më vonë, hetimet orientuan konfliktin drejt një çështjeje të trafikut të drogës, konkretisht një ngarkese kokaine që kishte krijuar përplasje mes grupeve kriminale.
Lidhjet dhe dosjet që e rikthyen në qendër të hetimeve
Emri i Matës u rikthye fuqishëm në skenë në nëntor të vitit 2023, kur SPAK firmosi një urdhër-arresti ndaj tij në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Hetimet zbuluan komunikime të zhvilluara në platformën Sky ECC, ku ai dyshohej se kishte organizuar trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Brazili drejt Gjermanisë.
Në këto biseda përmendej një episod ku rreth 240 kilogramë kokainë ishin sekuestruar, ndërsa vetë Mata parashikonte se rasti do të bëhej publik në media. Ky zhvillim çoi më pas në goditjen e një rrjeti më të gjerë kriminal, ku u përfshinë edhe figura të njohura të botës së biznesit dhe strukturave ligjzbatuese.
Lidhje me zyrtarë dhe rrjete kriminale
Nga të dhënat hetimore, Mata rezulton i lidhur edhe me ish-zyrtarë të policisë, mes tyre Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni, të cilët u akuzuan për përfshirje në pastrim parash dhe përkrahje të elementëve kriminalë.
Përtej bashkëpunimeve të dyshuara, ekzistonin edhe lidhje familjare mes tyre, pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Matës. Këto lidhje e komplikojnë edhe më tej panoramën e një rrjeti që dyshohet se ka operuar përtej kufijve të Shqipërisë.
Po ashtu, në përgjimet e publikuara është përmendur sërish emri i Elvana Gjata, në lidhje me një transfertë të dyshuar financiare, çka ka sjellë edhe interesin e autoriteteve për verifikime të mëtejshme pasurore.
Nga arratia te prangat
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Mata qëndroi në arrati deri në arrestimin e tij në Brazil, një operacion që u realizua falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese.
Tashmë, ai pritet të përballet me drejtësinë shqiptare, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e tij në një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të drogës që ka përfshirë Shqipërinë vitet e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



