Gjykata braziliane i hap rrugë ekstradimit të Ervin Matës drejt Shqipërisë
Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka dhënë dritën jeshile për kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës, duke e miratuar atë në mënyrë unanime. Vendimi është marrë nga trupi i parë i gjykatës pas shqyrtimit të çështjes në seancë virtuale, të zhvilluar nga 14 deri më 21 gusht 2026.
Në vendimin prej 23 faqesh, autoriteti më i lartë gjyqësor brazilian arrin në përfundimin se dokumentacioni i paraqitur nga pala shqiptare përmbush kërkesat ligjore që nevojiten për procedurën e ekstradimit.
Kërkesa e Shqipërisë lidhet me një procedim penal ku Mata akuzohet për vepra që përfshijnë trafikimin e lëndëve narkotike, bashkëpunimin në një formë të veçantë dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Në dosje, komunikimet për 250 kilogramë kokainë
Një pjesë e rëndësishme e materialit të paraqitur para gjykatës braziliane lidhet me komunikimet e siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC.
Sipas të dhënave të përfshira në dosje, në shtator të vitit 2020, përdoruesi me identifikuesin GS4TDD, i atribuar nga autoritetet Ervin Luan Matës, dyshohet se komunikonte lidhur me transportimin e një sasie prej rreth 250 kilogramësh kokainë, me origjinë nga Brazili dhe destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.
Në një komunikim të datës 29 shtator 2020 përmendet sekuestrimi i 240 njësive të mallit në Frankfurt.
Në një tjetër bisedë, sipas materialit të administruar në dosje, Mata shprehet se “të gjitha mallrat e mia u sekuestruan në Frankfurt, në doganë”. Në komunikime të tjera përmenden edhe lëvizje parash përmes personave të tretë.
Dosja përmban gjithashtu biseda që lidhen me Shqipërinë dhe Holandën. Në një prej komunikimeve shfaqet shprehja “Vetëm në Shqipëri dua para”, ndërsa në një tjetër përmendet një shumë prej një milionësh në Holandë.
Komunikimet me Eralbi Breçanin
Në materialin e shqyrtuar nga gjykata braziliane janë përfshirë edhe komunikime mes Ervin Matës dhe Eralbi Breçanit.
Në një bisedë të zhvilluar gjatë tetorit 2020, Mata dyshohet se diskuton për “ngarkesa” dhe për mundësinë e sigurimit të “daljeve të sigurta” për mallin.
Këto komunikime janë përdorur nga autoritetet shqiptare si pjesë e bazës së kërkesës për ekstradim. Megjithatë, vendimi brazilian bën një dallim të qartë mes vlerësimit të kushteve për ekstradim dhe përcaktimit të përgjegjësisë penale.
Gjykata braziliane nuk vendosi nëse Mata është fajtor
Pika më e rëndësishme juridike e vendimit është se Gjykata Supreme Federale e Brazilit nuk ka shqyrtuar fajësinë ose pafajësinë e Ervin Matës.
Gjykata sqaron se procedura e ekstradimit nuk është një proces gjyqësor për të vendosur mbi themelin e akuzave. Për këtë arsye, ajo nuk kryen një rigjykim të fakteve, autorësisë apo provave që do të shqyrtohen nga drejtësia shqiptare.
Kontrolli i gjykatës braziliane është kufizuar në verifikimin paraprak të kushteve juridike që duhet të ekzistojnë për lejimin e ekstradimit.
Në këtë kuadër, gjykata ka konstatuar se plotësohet kriteri i dënueshmërisë së dyfishtë, se veprat për të cilat kërkohet ekstradimi nuk janë parashkruar dhe se nuk rezulton ndonjë pengesë tjetër ligjore që ta bllokojë procedurën.
Ekstradim për procedim, jo për vuajtje dënimi
Një tjetër përcaktim i vendimit lidhet me qëllimin e ekstradimit. Në rastin e Matës, bëhet fjalë për ekstradim në kuadër të procedimit penal, pra për t’iu nënshtruar hetimit dhe gjykimit në Shqipëri.
Kjo do të thotë se vendimi brazilian nuk lidhet me transferimin e tij në Shqipëri për të vuajtur një dënim të formës së prerë.
Megjithatë, miratimi nga Gjykata Supreme Federale nuk nënkupton se Mata do t’u dorëzohet menjëherë autoriteteve shqiptare.
Fjala e fundit mbetet te Presidenti i Brazilit
Sipas vendimit, dorëzimi fizik i Ervin Matës mbetet i kushtëzuar nga vendimi diskrecional i Presidentit të Brazilit.
Përveç këtij hapi, Shqipëria duhet të formalizojë edhe garancitë e kërkuara nga legjislacioni brazilian.
Mes tyre përfshihet detyrimi që Mata të mos ndiqet penalisht në Shqipëri për një fakt tjetër të mëparshëm nga ai për të cilin është kërkuar ekstradimi. Gjithashtu, duhet t’i njihet koha e kaluar në paraburgim në Brazil dhe të garantohet se nuk do t’i nënshtrohet torturës apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose degradues.
Vendimi mban datën 24 gusht 2026 dhe është marrë unanimisht nga trupi i parë i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit. Relator i çështjes ka qenë gjyqtari Alexandre de Moraes.
Në këtë mënyrë, drejtësia braziliane ka hequr një prej pengesave kryesore ligjore për ekstradimin e Ervin Matës në Shqipëri. Por procedura nuk ka përfunduar ende: dorëzimi i tij mbetet i varur nga hapat e mëtejshëm të përcaktuar në vendim dhe nga vendimi përfundimtar i autoriteteve kompetente braziliane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



