Apeli i GJKKO-së lë në burg djalin e Erzen Breçanit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eralbi Breçanin, djalin e ish-drejtuesit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, trupi gjykues monokratik shqyrtoi çështjen penale nr. 27, të regjistruar më 3 korrik 2026, që lidhej me ankimin e bërë nga Eralbi Breçani ndaj vendimit nr. 43, datë 15.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Pas shqyrtimit të materialeve të dosjes dhe pretendimeve të palëve, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Eralbi Breçani dyshohet se ka nisur aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike dhe se në të paktën dy raste këtë veprimtari e ka kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka ngritur dyshime edhe për disa grupe komunikimi në aplikacionet e mesazheve, ku pjesë e tyre rezulton të jetë edhe Ervin Mata, kunati i Breçanit.
Sipas organit të akuzës, komunikimet në këto grupe dyshohet se mund të jenë përdorur për qëllime të lidhura me organizimin apo realizimin e veprimtarive të paligjshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



