E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Balla në GJKKO: Malltezi përfitoi nga vjehrri kryeministër!
Lajme

Balla në GJKKO: Malltezi përfitoi nga vjehrri kryeministër!

Zbardhet dëshmia

Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen e njohur si “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Që në nisje të seancës, trupa gjykuese ka vijuar me procedurat, ndërsa Taulant Balla ka dhënë dëshminë e tij para togave të zeza, në cilësinë e kallëzuesit në këtë çështje.

Balla sqaroi se që prej vitit 2012 dhe në vijim kishte ngritur dyshime mbi mënyrën se si ishte realizuar procesi i privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.

Pjesë nga dëshmia e Ballës

Që prej vitit 2012 e në vijim kam paraqitur dyshimet e mia për mënyrën se si është proceduar nga organet përgjegjëse për privatizimin e Partizanit. Në vlerësimin tim, ky proces privatizimi nuk është zhvilluar sipas procedurave ligjore dhe personat kanë shfrytëzuar koncesionet e tyre dhe lidhjet familjare lidhur me këtë proces. Nga një numër shumë i madh provash, binte në sy se si, në një mënyrë kaq të shpejtë, ishte kryer vetëm një privatizim.

Në Shqipëri, gjatë gjithë këtyre viteve, ish-pronarët vuajnë për pronat e tyre. Brenda 6 muajve ishte bërë procedura e njohjes dhe kthimit të godinës. Ajo që vumë re në atë kohë ishte se si një kompleks si Partizani ishte hequr nga plani i ushtrisë. Në një dokument rezultonte se ishte në plan përhapjeje, në tjetrin jo. Ndaj i kërkova prokurorisë të hetonte.

Në vlerësimin tim, dy godina të mëdha me sipërfaqe të konsiderueshme nuk mund të vlerësoheshin me 10 milionë lekë të reja. Ishte e dyshimtë se si kishte mundësi që, në një kohë prej vetëm 6 muajsh, të bëhej e gjithë kjo. Kjo përbënte dalje nga normat mesatare kohore që ndiqen për prona të tilla.

Në vlerësimin tim të bërë në kallëzim, kemi hedhur edhe dyshimin që kishim të bëjmë me një formë të fshehjes së pasurisë apo të ndërmjetësimit të paligjshëm. U krijua një kompani “Homeplan” me pronar një nga të akuzuarit, rezultoi se pronari ja kaloi % e aksioneve dy personave te tjerë që ishin përfshirë në këtë proces. Sali Berisha për shkak të pozicionit si kryeministër, përfitonte nga këto lidhje dhëndri i tij. U shfrytëzua lidhja shkak-pasojë, për të përmbyllur procesin e njohjes, privatizimit me një vlerë qesharake, ku në një kohë të shkurtër janë marrë te gjitha lejet për ndërtimin e 17 godina, aty ku ka qenë një klub sportiv.

Më herët, që në hyrje të GJKKO-së, Balla deklaroi gjithashtu se nuk tërhiqet në asnjë moment nga kallëzimi i tij.

Ndërkohë, në vijim të procesit gjyqësor pritet të dëshmojnë edhe emra të tjerë si Paro Laçi, Albert Xhani dhe Isa Tare.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për thirrjen në gjyq të 11 dëshmitarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.