Tragjedia me 2 fëmijë të vdekur në Durrës, AMP nis hetimet
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, pas denoncimeve të banorëve të lagjes 15 në Durrës, në zonën e ish-Kënetës.
Sipas qytetarëve, policia nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve të vazhdueshme për qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë, një problem që prej kohësh shqetësonte komunitetin.
Hetimi i AMP-së vjen pas aksidentit tragjik të ndodhur mesditën e së dielës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi reagimin e strukturave policore dhe nëse janë marrë masat e duhura për parandalimin e rrezikut, pavarësisht denoncimeve të përsëritura nga banorët.
AMP pritet të verifikojë nëse ka pasur shkelje të detyrës nga ana e efektivëve dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave. Nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore ndaj personave përgjegjës.
Ndërkohë, pas ngjarjes tragjike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra zinxhirin komandues të Durrësit, deri në përfundim të hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



