Edi Rama dhe Sali Berisha, dy (të pa)fytyrat e së njëjtës maskë
Në front “dorë për dore” për të “mbytur” median dhe gazetarët
Në diskursin politik shqiptar, përplasjet mes Edi Ramës dhe Sali Berishës shpesh duken si beteja të ashpra, por në thelb ndjekin një logjikë të njëjtë: kontrollin e narrativës dhe delegjitimimin e çdo zëri kritik.
Rama, i cili prej kohësh kritikohet për raportin me median, ka hyrë së fundmi në replika edhe me Reporterët pa Kufij, duke relativizuar raportet ndërkombëtare për lirinë e shtypit dhe duke i paraqitur si keqinterpretime apo analiza të njëanshme. Në komunikimet e tij publike, ai shpesh përdor gjuhë teknike, statistika apo referenca moderne si inteligjenca artificiale për të argumentuar se hapësira mediatike në vend është e lirë, madje e dominuar nga opozita.
Në anën tjetër, Berisha ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të SafeJournalists Network dhe Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, duke i akuzuar për qëndrime të njëanshme pas kritikave që këto organizata i bënë gjuhës së tij ndaj mediave si rasti i News 24. Për Berishën, çdo media që nuk përforcon narrativën e tij, shpesh kategorizohet si e kapur apo e lidhur me pushtetin.
Pavarësisht retorikës së kundërt në publik, të dy liderët politik ndajnë një qasje të përbashkët: vështirësinë për të pranuar median si një pushtet të pavarur. Në vend të kësaj, ajo shihet ose si mjet për të goditur kundërshtarin, ose si pengesë që duhet delegjitimuar.
Ironia qëndron në faktin se, ndërsa njëri e relativizon kritikën përmes “shifrave” dhe diskursit modern, tjetri e sulmon atë drejtpërdrejt me etiketime dhe gjuhë të ashpër. Por rezultati është i njëjtë: minimi i besimit publik tek informacioni dhe tek vetë roli i gazetarit.
Pra, vetë media nuk trajtohet si një institucion që kërkon llogari, por si një terren beteje ku vërtetësia shpesh humbet mes akuzave për “kapje” dhe pretendimeve për “dominim”.
Dhe në këtë përplasje të vazhdueshme, ajo që mbetet më e rrezikuar është pikërisht thelbi i gazetarisë: e drejta për të bërë pyetje dhe për të kërkuar përgjigje në interes dhe për interesin e publikut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



