Shoferi i çmendur futet me makinë në sheshin ‘Skënderbej’
Parandalohet tragjedia në zemër të Tiranës
Vetëm dy ditë pas tragjedisë së rëndë në zonën e Durrësit, ku një aksident rrugor i mori jetën dy fëmijëve të mitur, një tjetër ngjarje e rrezikshme është shmangur për pak në qendër të Tiranës.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se një automjet tip “Toyota Verso”, pa targa, ka hyrë me shpejtësi duke çarë kangjellat metalike në hyrje të sheshit “Skënderbej”. Më pas, drejtuesi i mjetit ka kryer manovra të rrezikshme, duke vënë në rrezik serioz jetën e kalimtarëve dhe punonjësve të Policisë Bashkiake që ndodheshin në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit është identifikuar si Viktor Ndoka, nga Lezha, i cili prej rreth 10 vitesh jetonte në Angli.
Sipas informacioneve, Ndoka ka lëvizur me shpejtësi në bulevardin “Zogu i I” dhe më pas ka depërtuar në ambientet publike të sheshit “Skënderbej”, në zemër të Tiranës.
Ngjarja është parë nga shumë kalimtarë, të cilët janë detyruar të shmangen për të mos u goditur nga automjeti. Në një moment, makina është përplasur me një nga gurët dekorativë pranë Muzeut Kombëtar.
Kanë qenë dy punonjës të Policisë Bashkiake, Arkid Rizvani dhe Rigert Kasa, të cilët kanë ndërhyrë me shpejtësi për të neutralizuar drejtuesin e mjetit, ndërsa ai tentonte të vazhdonte lëvizjen drejt zonës ku ndodheshin grupe turistësh.
Pas përplasjes së automjetit, punonjësi Rigert Kasa ka arritur të marrë çelësin nga kontakti dhe të aktivizojë frenin e dorës, duke bërë të mundur ndalimin e mjetit.
Në momentin e neutralizimit, Viktor Ndoka ka reaguar me të bërtitura, duke kërkuar të lihej i lirë, pasi pretendonte se ishte nisur drejt Ambasadës Amerikane për të bërë një denoncim ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhës.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një patrullë e Komisariatit Nr. 3, e cila ka bërë shoqërimin e tij në polici. Për rastin është interesuar edhe sektori i Antiterrorit, i cili ka kërkuar të intervistojë të ndaluarin.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal me nr. 6342 për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtim i punonjësit që kryen detyrën shtetërore”.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” për një afat 2-mujor, ndërsa Gjykata e Tiranës ka vendosur “arrest në burg” për 45 ditë, duke urdhëruar gjithashtu kryerjen e një ekspertimi psikologjik ndaj të arrestuarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



