Vrasja e Edmond Sulës, policia kontrolle në disa banesa
Hetimet për ekzekutimin e 50-vjeçarit Edmond Sula, ngjarje e ndodhur më 12 korrik në zonën e Bërxullës në Tiranë, janë përqendruar kryesisht te konfliktet që viktima mund të ketë pasur së fundmi.
Pas identifikimit të disa personave me interes, Gjykata e Tiranës ka miratuar kontrolle në disa banesa, në përpjekje për të siguruar prova që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të krimit.
Sipas burimeve pranë hetimit, deri më tani verifikimet dhe kontrollet nuk kanë prodhuar rezultat konkret që do të ndihmonte në identifikimin e autorit apo autorëve të atentatit, ku Sula u qëllua me armë snajper në momentin që hynte në oborrin e banesës së tij.
Gjatë operacioneve të kontrollit, policia ka ndaluar një 43-vjeçar, në banesën e të cilit u gjet një armë zjarri pa leje. Megjithatë, hetuesit theksojnë se nuk ekzistojnë prova që e lidhin atë me vrasjen e ndodhur më 12 korrik.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore mbetet ajo e një krimi të organizuar, ku dyshohet se në planifikimin dhe realizimin e vrasjes mund të kenë qenë të përfshirë më shumë se një person.
Sipas të dhënave, autori ka qëlluar nga një distancë rreth 50 metra dhe më pas është larguar në këmbë, duke humbur gjurmët në zonën pyjore përreth.
Ky detaj ka ngritur dyshime të forta se autori kishte njohuri të qarta mbi terrenin dhe sistemin e kamerave të sigurisë në zonë, duke shmangur çdo mundësi identifikimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



