Merr flakë automjeti brenda oborrit të Dioqezës së Lezhës
Një incident me pasoja materiale, por pa të lënduar, është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së martës në qytetin e Lezhës, ku një automjet është përfshirë papritur nga flakët.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti ndodhej i parkuar brenda oborrit të Dioqezës së Lezhës dhe kishte rreth një javë që qëndronte në atë vend. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjet, por pa rrezikuar jetën e ndonjë personi, pasi në momentin e shpërthimit të zjarrit nuk kishte njeri brenda.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të vënë situatën nën kontroll. Falë reagimit të tyre në kohë, është bërë e mundur izolimi i flakëve dhe parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt godinës së Ipeshkvisë së Lezhës, duke shmangur kështu pasoja edhe më të rënda.
Burime paraprake bëjnë me dije se një defekt i mundshëm elektrik mund të ketë qenë shkaku i shpërthimit të flakëve, megjithatë hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e këtij rasti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



