Trafikimi i 4 ton kokainë, SPAK dërgon për gjykim 24 persona
Sekuestron 4 mln euro cash dhe 12 mln euro pasuri
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, në kuadër të dosjes “Ura”, një hetim që daton që prej vitit 2019.
Sipas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Distrektuale Antimafia në Bari, Itali, grupi kriminal – i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë – dyshohet se operonte nga territori shqiptar, me degëzime në Itali. Aktiviteti i tyre konsistonte në organizimin e trafikut dhe shpërndarjes së sasive të mëdha të kokainës që vinin nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian. Komunikimet mes anëtarëve të grupit janë kryer edhe përmes platformës së enkriptuar SkyECC.
Autoritetet kanë dokumentuar një sërë sekuestrimesh të konsiderueshme në Itali dhe Holandë, ku përfshihen sasi nga disa kilogramë deri në mbi 2 ton kokainë, si dhe qindra kilogramë kanabis. Në total, gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash, ndërsa pasuritë e identifikuara dhe të sekuestruara arrijnë në rreth 12 milionë euro.
Sipas SPAK, të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se pastroheshin përmes aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe transportoheshin me mjete të transportit ndërkombëtar, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe fshehjen e origjinës së tyre. Hetimet për verifikimin e pasurive të lidhura me të pandehurit vijojnë ende.
Të pandehurit
Në këtë procedim penal janë marrë të pandehur:
Elvis Doçi, Olgert Shqevi dhe Indrit Tafili, të akuzuar për:
“Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.
Artan Sulejmani, Nexhmedin Danaj, Orges Molla, Sueld Elezi, Genti Nderjaku alias Ekil Nderjaku, Hasan Nderjaku, Altin Morina, Emri Hysenaj, Artur Shkoza, Sokol Isteri alias Tatani, Ervin Zeqiri, Gëzim Thartori, Ledio Bardhi, Juxhin Drazhi, të akuzuar për:
“Trafikim i narkotikëve” në formën e bashkëpunimit në grup të strukturuar kriminal dhe veprat përkatëse që lidhen me organizatën kriminale.
Erind Lasku, Musa Korça, Alfred Hysa, Ligor Çombashi, Rando Aliu, Altin Pjetri dhe Edmond Çupi, të akuzuar për:
“Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Dosja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Hetimi dhe aktiviteti kriminal
Procedimi penal nr. 36/2019 është zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore me autoritetet italiane. Hetimet zbuluan një rrjet të strukturuar kriminal që operonte nga Shqipëria drejt Italisë dhe më tej në vendet e BE-së, duke importuar dhe shpërndarë sasi të mëdha kokaine dhe lëndësh të tjera narkotike.
Të ardhurat nga trafiku transportoheshin përmes shoferëve të autobusëve të linjave ndërkombëtare, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe detyrimeve ligjore për deklarimin e burimit të tyre. Gjithashtu, nga aktet hetimore rezulton se të pandehurit kanë përdorur platformën SkyECC për komunikime të koduara.
Sasitë e drogës së sekuestruar
Gjatë hetimeve janë dokumentuar këto sekuestrime:
- 2 kg kokainë në Gravina, Itali (26.10.2020)
- 23 kg kokainë në Veneto, Itali (18.02.2021)
- 932 kg kokainë në Reggio Calabria, Itali (05.11.2021)
- 2 kg kokainë në Bari, Itali (07.09.2020)
- 400 kg hashash në Bari, Itali
- 275 kg lëndë narkotike (160 kg hashash dhe 115 kg marijuanë) në Rimini, Itali (04.12.2020)
- 2 kg kokainë në Perugia, Itali (25.06.2020)
- 5 kg kokainë në Perugia, Itali (24.05.2020)
- 8 kg kokainë në Bari, Itali (02–05.08.2020)
- 2020 kg kokainë në Rotterdam, Holandë
Në total, përveç lëndëve narkotike, janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash.
Hetimi pasuror dhe sekuestrimet
Në vijim të hetimeve, është regjistruar procedimi pasuror nr. 10/2025 për verifikimin e pasurive të 52 subjekteve dhe personave të lidhur me ta. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një sërë pasurish të paluajtshme në Durrës dhe zona të tjera, të regjistruara në emër të shtetasve të ndryshëm dhe subjekteve tregtare, përfshirë shoqërinë “Majestic Konstruksion sh.p.k.”.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë truall, ndërtesa dhe njësi banimi me sipërfaqe të konsiderueshme, të shpërndara kryesisht në zonat kadastrale 8512 dhe 8518, si dhe në zonën e Currilave dhe Plazhit në Durrës.
Sipas SPAK, vlera totale e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 12 milionë euro, ndërsa hetimet për identifikimin e pasurive të tjera të mundshme vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



