Ishte një “show” sa për “sy e faqe”? Zhbllokohet aktiviteti i “SORI-AL”
Pas pezullimit të përkohshëm të aktivitetit, në kuadër të hetimeve për helmimin e kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur tashmë zhbllokimin e subjektit “SORI-AL”.
Vendimi vjen pasi AKU kreu një sërë verifikimesh dhe analizash laboratorike për të përcaktuar nëse kishte shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore. Mostrat e marra në ambientet e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, si dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë, u analizuan në laboratorin referencë të ISUV-it dhe rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Në vijim, inspektorët e AKU-së ushtruan kontrolle të detajuara në terren, duke verifikuar kushtet e punës dhe zbatimin e rregullave për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit.
Në përfundim të këtij procesi, autoriteti vendosi heqjen e masës së bllokimit për “SORI-AL”, duke i lejuar rifillimin e aktivitetit. Megjithatë, subjektit i është kërkuar të vijojë me analiza të rregullta autokontrolli për produktet e gatshme, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi.
Ky zhvillim shënon një kthesë në trajtimin e rastit, duke sugjeruar se, të paktën nga pikëpamja e higjienës dhe kushteve teknike, nuk janë konstatuar problematika që justifikojnë vijimin e bllokimit.
Deklarata e AKU:
Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura.
Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV , informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë.
Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



