E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Propozimi/ Ndryshime për Policinë, hiqen konkurset për emërimet
Lajme

Propozimi/ Ndryshime për Policinë, hiqen konkurset për emërimet

Promovime më të shpejta dhe rikthim për ish-drejtorët

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Rexha, ka paraqitur në Kuvend një projektligj të ri që synon të riformatojë disa nga rregullat kryesore të funksionimit të Policisë së Shtetit, duke prekur drejtpërdrejt mënyrën e emërimeve dhe zhvillimin e karrierës së efektivëve.

Në thelb të propozimit qëndron ndryshimi i mekanizmit të përzgjedhjes për postet drejtuese. Sipas draftit, procedurat konkurruese do të hiqen për shumicën e këtyre pozicioneve, duke mbetur në fuqi vetëm për gradën më të lartë, atë të “drejtuesit madhor”, që i përket ekskluzivisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Argumenti kryesor lidhet me faktin se sistemi aktual konsiderohet i ngarkuar me burokraci dhe pengues për efikasitetin operacional të strukturave policore.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit lidhet me trajtimin e ish-drejtuesve të lartë. Parashikohet që një ish-Drejtor i Përgjithshëm të mos shkëputet automatikisht nga sistemi pas përfundimit të mandatit, por të vijojë kontributin e tij në radhët e policisë me gradën “drejtues i parë”, në funksione këshilluese ose akademike, si pjesë e Akademisë së Sigurisë.

Drafti sjell gjithashtu lehtësime në sistemin e gradave, duke ulur kohën e nevojshme për avancim. Konkretisht, kalimi nga “komisar” në “kryekomisar” dhe më pas në “drejtues” propozohet të bëhet pas 4 vitesh shërbimi, nga 5 vite që është aktualisht. Qasja synon të shpërblejë më shpejt efektivët me performancë të lartë, pa i penalizuar nga afate formale të zgjatura.

Një risi tjetër është kompetenca që i jepet Drejtorit të Përgjithshëm për të akorduar ngritje në gradë edhe përpara afatit, në raste të veçanta, kur efektivët dallohen për akte të spikatura apo rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit.

Ndryshime prekin edhe strukturat drejtuese të brendshme. Mandati i drejtuesve të departamenteve propozohet të reduktohet nga 4 në 3 vite, me mundësi rikandidimi për një mandat të dytë. Emërimi i tyre do të bëhet nga ministri i Brendshëm, mbi propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Sa i takon nivelit lokal, projektligji përcakton qartë kriteret për drejtimin e komisariateve, duke kërkuar që kandidatët për këtë post të mbajnë detyrimisht gradën “komisar” ose “kryekomisar”.

Projektligji pritet të kalojë fillimisht në shqyrtim në komisionet parlamentare përkatëse dhe më pas t’i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.