Kush mund të aplikojë? Ndryshon kufiri i moshës për Policinë e Shtetit
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur një urdhër të ri që ndryshon kriteret e moshës për pranimin në Policinë e Shtetit dhe Akademinë e Sigurisë.
Ndryshimet synojnë të zgjerojnë mundësitë e aplikimit për të rinjtë, profesionistët me përvojë dhe punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë.
Vendimi është marrë pas kërkesave të shumta të paraqitura nga qytetarë të interesuar për t’iu bashkuar strukturave të rendit, si përmes platformave digjitale, ashtu edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Sipas kritereve të reja, kufiri maksimal i moshës përcaktohet në 35 vjeç për kandidatët me arsim të mesëm të lartë që synojnë të angazhohen në role zbatuese në Patrullën e Përgjithshme, përmes Kolegjit Bazë. I njëjti kufi moshe do të aplikohet edhe për kandidatët që synojnë të ndjekin programin Bachelor për t’u emëruar më pas në rolin e parë drejtues me gradën nënkomisar.
Ndërkohë, për profesionistët me arsim të lartë, të cilët kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve në fusha si ekonomia, financa apo teknologjia e informacionit, kufiri i moshës zgjerohet deri në 40 vjeç për përfitimin e rolit të parë drejtues, pas përfundimit të kursit të specializuar.
Një tjetër ndryshim lidhet me punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë. Për këtë kategori nuk do të ketë kufizim moshe, me kusht që kandidatët të plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe të kalojnë me sukses të gjitha procedurat e pranimit.
Ministri Lamallari e ka cilësuar ndryshimin si një hap drejt krijimit të mundësive më të barabarta dhe më fleksibël për kandidatët që duan të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Sipas tij, heqja e disa kufizimeve të mëparshme synon të ndihmojë në rinovimin dhe forcimin e strukturave policore, duke kombinuar motivimin për të shërbyer në fushën e sigurisë me eksperiencën dhe profesionalizmin e kandidatëve të rinj.
Ndryshimet pritet të krijojnë një hapësirë më të gjerë aplikimi për personat që, për shkak të kufirit të mëparshëm të moshës, nuk mund të konkurronin për pozicione në Policinë e Shtetit apo Akademinë e Sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



