‘Furtuna’ te burgjet, emërohen drejtorët e rinj (EMRAT)
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka ndërmarrë një seri lëvizjesh në disa institucione të vuajtjes së dënimit, pas kontrolleve të zhvilluara në qeli gjatë ditëve të fundit.
Ndryshimet kanë përfshirë emërime të reja, dorëheqje dhe komandime të përkohshme në disa prej burgjeve kryesore në vend.
Në burgun e Reçit është emëruar drejtor Klodjan Myrto. Paraardhësi i tij, Algert Çekrezi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra dhe është rikthyer në radhët e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, në burgun “Jordan Misja” në Tiranë, drejtori i institucionit të njohur si 313 ka dhënë dorëheqjen, ndërsa në vend të tij është komanduar Arjan Bozhaj.
Lëvizje janë regjistruar edhe në burgun e Rrogozhinës, ku Bilal Hasa ka qenë i pezulluar nga detyra, ndërsa drejtimi i institucionit i është besuar përkohësisht Alban Zelës.
Këto ndryshime vijnë në kuadër të masave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për forcimin e kontrollit dhe rritjen e standardeve të sigurisë në institucionet penitenciare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



