E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kontrolle në burgun e Fushë Krujës, gjenden sende të ndaluara
Lajme

Kontrolle në burgun e Fushë Krujës, gjenden sende të ndaluara

Një operacion i gjerë kontrolli është zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë Krujë, në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe goditjes së fenomeneve të paligjshme brenda sistemit penitenciar.

Aksioni është realizuar nga Forcat Operacionale dhe ato Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Adriatik Kupi dhe nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Drejtuesit të Lartë Paulin Rajta.

Kontrollet janë shtrirë në një sërë ambientesh të institucionit, duke përfshirë sektorin e observimit, regjimin e brendshëm, si dhe zonat e sigurisë përreth, të njohura si brezi i butë. Qëllimi i këtij operacioni ishte evidentimi dhe sekuestrimi i çdo sendi të ndaluar që mund të rrezikojë rendin dhe sigurinë në burg.

Gjatë kontrolleve të detajuara, efektivët kanë konstatuar dhe sekuestruar një celular të tipit “Samsung”, i cili ishte fshehur brenda një çorapeje. Së bashku me të janë gjetur edhe një kabllo karikimi dhe një palë kufje. Sendet u zbuluan në një zonë mes Godinës A dhe ambienteve të observimit, duke ngritur dyshime për mënyrën e futjes së tyre në institucion.

Sipas njoftimit zyrtar, materialet e sekuestruara janë referuar për ndjekje të mëtejshme hetimore dhe proceduriale. Gjithashtu, për rastin është vënë në dijeni edhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë në vijimësi, si pjesë e një strategjie për të garantuar rendin dhe për të parandaluar aktivitetet e paligjshme brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.