Benet Beci vendos tarifa në Velipojë, ja sa do kushtojë çadra këtë verë
Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar tarifat zyrtare për përdorimin e çadrave dhe shezlongëve në plazhin e Velipojës, në kuadër të masave për administrimin e sezonit turistik veror.
Sipas projektvendimit të votuar në mbledhjen e fundit, subjektet private që operojnë në vijën bregdetare nuk do të lejohen të aplikojnë çmime mbi kufirin e përcaktuar nga bashkia.
Vendimi parashikon që çmimi maksimal për një çadër me dy shezlongë të jetë deri në 900 lekë, me TVSH të përfshirë. Ndërkohë, për pushuesit që zgjedhin hapësira më të mëdha dhe më komode, tarifa maksimale për gazebo është vendosur në 1500 lekë.
Projektvendimi u miratua me shumicë dërrmuese votash në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, duke marrë 26 vota pro, ndërsa pati vetëm një votë kundër dhe tre abstenime.
Sipas autoriteteve vendore, kjo masë synon të mbrojë pushuesit nga abuzimet me çmimet gjatë sezonit turistik dhe të garantojë tarifa më të përballueshme për familjet dhe vizitorët që frekuentojnë Velipojën.
Velipoja mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara të veriut gjatë muajve të verës, ndaj bashkia synon të vendosë më shumë kontroll mbi shërbimet turistike dhe standardet e ofruara në plazh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



