E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
3 persona me “BMW X5” terrorizojnë lokalin në Velipojë
Lajme

3 persona me “BMW X5” terrorizojnë lokalin në Velipojë

Përplasja me kamarierin degjeneron në kërcënim me armë

Një konflikt i nisur mes një kamarieri dhe dy vëllezërve, Elidon dhe Florjan Gjeloshi, ka marrë përmasa të rënda në fshatin Gomsiqe e Re në Velipojë, ku një përplasje e mëparshme dyshohet se ka sjellë më pas mbërritjen e tre personave të armatosur në një lokal.

Ngjarja është regjistruar pasditen e 6 shtatorit 2026 në ambientet e lokalit “Arval”, në qendër të fshatit. Tre persona kanë mbërritur me një automjet tip “BMW X5”, me targa angleze, ndërsa dy prej tyre dyshohet se kanë qenë të armatosur.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin kur tre personat zbresin nga automjeti dhe të paktën dy prej tyre hyjnë në lokal me armë. Njëri prej tyre është parë me një armë të tipit automatik, ndërsa personi tjetër dyshohet se ka pasur një pistoletë.

Prania e personave të armatosur ka shkaktuar panik te klientët që ndodheshin në lokal. Të frikësuar nga mundësia e një përplasjeje me armë, ata janë larguar me shpejtësi nga ambientet e lokalit.

Një prej personave të identifikuar nga pamjet filmike është shtetasi Klevin Nikolli.

Pas ngjarjes, materialet hetimore i janë përcjellë Prokurorisë së Shkodrës, ku rasti po trajtohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” dhe “Kanosja me armë”.

Dëshmia e pronarit të lokalit

Në dëshminë e dhënë në Policinë e Velipojës, pronari i lokalit “Arval”, Valter Përndrecaj, ka treguar se ndodhej në ambientet e biznesit të tij në momentin kur ka mbërritur automjeti me tre personat.

Sipas dëshmisë së tij, ai ka njohur njërin prej tyre si Klevin Nikollin. Përndrecaj ka deklaruar se Nikolli ka zbritur nga “BMW X5” duke mbajtur në dorë një armë që ai e ka identifikuar si kallashnikov AK-47 dhe është drejtuar në drejtim të tij.

Personi tjetër, sipas pronarit të lokalit, njihet me emrin Gentjan, por dëshmitari ka deklaruar se nuk di mbiemrin e tij. Ai ka treguar se ky person, pasi ka hyrë në lokal, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë, për të cilën nuk ka mundur të përcaktojë modelin.

Përndrecaj ka përshkruar edhe momentin kur është përpjekur t’ia marrë armën Nikollit. Në dëshminë e tij ai shprehet:

“Kam parë një moment se nga një automjet tip BMW X5 me targa angleze, kanë zbritur 3 persona, ku njëri nga ata, e njoh si shtetasin Klevin Nikolli, i cili kishte në dorë një si armë zjarri kallash AK-47, i cili ka zbritur dhe ka ardhur drejt meje. Personi tjetër ka qenë një person që unë e njoh vetëm me emrin Gentjan, nuk e di mbiemrin, dhe ky kur ka zbritur nga mjeti dhe ka hyrë në lokal ka nxjerrë nga brezi një si armë zjarri pistoletë, nuk e di çfarë tipi.”

Sipas dëshmitarit, situata është tensionuar më tej dhe ai është përballur me Nikollin, duke tentuar ta nxirrte nga ambientet e lokalit.

“Në këtë moment unë kam shkuar përballë shtetasit Klevin Nikolli ku kam kapur armën e këtij personi AK-47, dhe tek po shtyhesha me të për ta nxjerrë nga lokali, i kam hequr karikatorin, dhe kam bërë një karikim të armës, por nuk e kam vënë re nëse kishte plumb në gojë.”

Pronari ka deklaruar se pasi ia ka marrë armën nga dora Nikollit, nuk ka mundur të tregojë se kujt ia ka dorëzuar më pas, pasi në atë moment ishte i frikësuar.

Por, sipas rrëfimit të tij, situata nuk është qetësuar. Ai ka treguar se Nikolli ka nxjerrë një tjetër armë, këtë herë një pistoletë, dhe e ka drejtuar në drejtim të personave me të cilët kishte pasur konflikt.

“Por në atë moment Klevin Nikolli, ka nxjerrë nga brezi një armë tjetër tip pistoletë, të cilën e ka drejtuar nga personat me të cilët kishte bërë fjalë që unë i njoh me emrat Elidon Gjeloshi dhe Florjan Gjeloshi, dhe janë klienta në lokalin tim.”

Pas disa çastesh, personat janë larguar nga ambientet e lokalit. Në vendngjarje ka mbërritur më pas Policia e Velipojës, e cila ka nisur veprimet hetimore për të dokumentuar rrethanat e incidentit, identifikimin e personave të përfshirë dhe armëve të përdorura.

Konflikti kishte nisur një orë më herët

Nga të dhënat e administruara gjatë hetimit dyshohet se ngjarja me personat e armatosur nuk ka qenë një episod i shkëputur.

Sipas hetimeve, rreth një orë para mbërritjes së tre personave në lokal, vëllezërit Elidon dhe Florjan Gjeloshi ishin përfshirë në një konflikt me kamarierin e lokalit “Arval”.

Pas kësaj përplasjeje, kamarieri dyshohet se ka njoftuar persona të afërt me të. Pak kohë më vonë, në lokal është shfaqur “BMW X5” me targa angleze dhe tre personat, dy prej të cilëve të armatosur.

Pavarësisht tensionit dhe pranisë së armëve, ngjarja fatmirësisht nuk përfundoi me viktima apo persona të plagosur. Materialet e çështjes tashmë ndodhen në Prokurorinë e Shkodrës, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar të plotë dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.