E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aeroporti i Vlorës, MABCO ‘flakë për flakë’ me qeverinë
Denoncime

Aeroporti i Vlorës, MABCO ‘flakë për flakë’ me qeverinë

Kompania MABCO Constructions S.A. ka reaguar pas kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen brenda 30 ditëve të konfliktit mes ortakëve të shoqërisë koncesionare që po ndërton Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Në një deklaratë publike, kompania shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo proces dialogu apo ndërmjetësimi, por nënvizon se çdo diskutim duhet të mbështetet mbi vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë.

Sipas MABCO-s, vendimi i Gjykatës së Lartë ka rrëzuar masat e sigurimit që kufizonin ushtrimin e të drejtave të saj si ortak mazhoritar në shoqërinë “Vlora International Airport” (VIA), duke rikthyer situatën juridike sipas strukturës aktuale të pronësisë.

Kompania thekson se vazhdon të zotërojë 98 për qind të kuotave të VIA-s dhe se ky status duhet të shërbejë si bazë për çdo proces të ardhshëm institucional apo negociues. Sipas saj, pretendimet e tjera që lidhen me strukturën e pronësisë mbeten objekt i proceseve gjyqësore ende të hapura.

Në deklaratë, MABCO kujton se gjatë periudhës tetor 2025 – maj 2026 ka adresuar vazhdimisht shqetësime pranë institucioneve shtetërore lidhur me kufizimin e të drejtave të saj si aksionere mazhoritare dhe ndikimin që kjo situatë mund të kishte në ecurinë e projektit. Kompania pretendon se ka depozituar dhjetëra shkresa dhe kërkesa zyrtare për të shmangur vonesat dhe për të mbrojtur interesat e projektit.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, MABCO deklaron se fokusi i saj është rikthimi i funksionimit normal të shoqërisë koncesionare dhe përshpejtimi i proceseve që lidhen me përfundimin, testimin, certifikimin dhe vënien në funksion të aeroportit.

Kompania njofton se ka nisur procedurat për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, duke thirrur organet vendimmarrëse të shoqërisë në përputhje me statutin dhe legjislacionin shqiptar.

Megjithëse shpreh gatishmëri për dialog, MABCO rendit disa kushte që i konsideron të domosdoshme. Mes tyre përfshihen zbatimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë, garantimi i aksesit të pakufizuar të përfaqësuesve dhe specialistëve të kompanisë në kantier, si dhe sigurimi i qasjes në të gjithë informacionin teknik, administrativ dhe financiar që lidhet me projektin.

Reagimi vjen vetëm një ditë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u kërkoi zyrtarisht MABCO-s dhe 2A Group të angazhohen në një proces për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ministria paralajmëroi se në rast se palët nuk arrijnë një marrëveshje brenda afatit 30-ditor, shteti do të përdorë të gjitha mekanizmat që parashikohen nga kontrata koncesionare dhe legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e interesit publik.

Në përfundim të deklaratës, MABCO rithekson angazhimin për finalizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës sipas standardeve ndërkombëtare dhe rezervon të gjitha të drejtat që burojnë nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve.

DEKLARATA E MABCO

Në lidhje me shkresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 4628 prot., datë 29.05.2026

MABCO Constructions S.A. ka marrë dijeni për përmbajtjen e shkresës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 4628 prot., datë 29.05.2026, lidhur me situatën në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

MABCO mirëpret çdo iniciativë institucionale që synon rikthimin e normalitetit në funksionimin e shoqërisë koncesionare dhe përfundimin sa më të shpejtë të një projekti me rëndësi strategjike për Republikën e Shqipërisë.
Së pari, është e rëndësishme të theksohet se me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë janë rrëzuar masat e sigurimit që kishin kufizuar ushtrimin e të drejtave të MABCO-s si ortak mazhoritar i shoqërisë koncesionare VIA sh.p.k.

Ky vendim ka rikthyer situatën juridike në përputhje me statusin ligjor dhe korporativ të palëve dhe përbën bazën mbi të cilën duhet të ndërtohet çdo proces i mëtejshëm institucional. MABCO mbetet ortaku mazhoritar i VIA-s me 98% të kuotave, sipas të dhënave të regjistruara dhe të vlefshme ligjërisht. Çështjet e tjera që lidhen me pretendime mbi strukturën e pronësisë janë objekt i proceseve gjyqësore në vijim dhe do të trajtohen nga organet kompetente. Gjatë periudhës Tetor 2025 – Maj 2026, MABCO ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësime pranë institucioneve shtetërore lidhur me kufizimin e ushtrimit të të drejtave të saj si ortak mazhoritar dhe pasojat që kjo situatë mund të sillte për ecurinë e projektit. Në këtë kuadër, MABCO ka depozituar dhjetëra shkresa dhe kërkesa zyrtare, me qëllim mbrojtjen e interesit të projektit dhe shmangien e vonesave të mëtejshme. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, prioriteti ynë nuk është rikthimi në debatet e së kaluarës, por rikthimi i funksionimit normal të shoqërisë koncesionare dhe përshpejtimi i të gjitha proceseve që lidhen me përfundimin, testimin, certifikimin dhe vënien në operim të aeroportit.

Në këtë kuadër, MABCO ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, përfshirë thirrjen e organeve vendimmarrëse të shoqërisë në përputhje me statutin dhe legjislacionin shqiptar në fuqi. MABCO shpreh gatishmërinë e plotë për të marrë pjesë në çdo proces dialogu, koordinimi apo ndërmjetësimi të iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim adresimin e çështjeve të mbetura pezull dhe garantimin e vijimit normal të projektit. Megjithatë, MABCO vlerëson se çdo proces i tillë duhet të mbështetet mbi disa parime themelore:

1) respektimin e plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të të drejtave që burojnë prej tij;
garantimin e aksesit të plotë dhe të pakufizuar të përfaqësuesve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s në projekt;

2) mundësimin e aksesit në informacionin teknik, administrativ dhe financiar të nevojshëm për vlerësimin e gjendjes aktuale të projektit;

3) zhvillimin e proceseve të mëtejshme në përputhje me Kontratën e Koncesionit, statutin e VIA-s dhe legjislacionin shqiptar.

MABCO thekson se çdo vlerësim mbi afatet, detyrimet apo pasojat e periudhës gjatë së cilës ushtrimi i të drejtave të saj ka qenë i kufizuar duhet të bëhet në mënyrë objektive, të drejtë dhe në përputhje me rrethanat faktike dhe juridike të krijuara gjatë kësaj periudhe. MABCO mbetet e përkushtuar ndaj një qëllimi të vetëm: përfundimit me sukses të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, certifikimit të tij sipas standardeve ndërkombëtare dhe vënies në operim në interes të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Mabco Constructions S.A. rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin nga Kontrata e Koncesionit, legjislacioni shqiptar në fuqi, si dhe nga instrumentet ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve, për të kthyer pergjigjien e plotë sapo letra e publikuar në media të mbërrijë pranë nesh si komunikim zyrtar si dhe për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

MABCO Constructions S.A.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.