Zhvatën mbi 200 mijë € nga klientët, 2 punonjës banke në pranga
6 të tjerë në arrest shtëpie
Një operacion i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ka çuar në goditjen e një skeme të dyshuar abuzimi financiar brenda një banke të nivelit të dytë në kryeqytet.
Sipas burimeve zyrtare, dy punonjës të bankës janë arrestuar, ndërsa gjashtë të tjerë janë vendosur në masën “arrest shtëpie” dhe katër punonjës janë pezulluar nga detyra.
Hetimi ka nisur pas denoncimeve të disa qytetarëve, të cilët kanë konstatuar mungesë fondesh në llogaritë e tyre bankare. Dyshimet paraprake tregojnë se punonjësit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të përvetësuar shuma parash nga klientët.
Nga verifikimet e deritanishme, dëmi ekonomik i shkaktuar kap vlerën e të paktën 200 mijë eurove, bazuar në rastet e dokumentuara.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, ndërsa dyshohet se numri i personave të dëmtuar mund të jetë më i lartë. Po punohet për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme dhe për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të dyshuar mashtrimi financiar.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe kontrollin e brendshëm në institucionet bankare, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi përmasat reale të abuzimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



