Vijon revolta para Kryeministrisë, sot protesta e 6 qytetare
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë pritet të jetë sërish qendra e një mobilizimi të gjerë qytetar këtë të premte, ku mijëra protestues do të mblidhen për të kundërshtuar projektin e debatueshëm në Zvërnec dhe një sërë politikash të qeverisë.
Tubimi, i cili nis në orën 18:00 përpara godinës së Kryeministrisë, shënon protestën e gjashtë radhazi brenda pak ditësh. Pjesëmarrës nga qytete të ndryshme kanë konfirmuar prezencën e tyre, duke e kthyer këtë lëvizje në një reagim të organizuar në shkallë kombëtare.
Prej disa ditësh, aksi kryesor i kryeqytetit është shndërruar në pikën kryesore të grumbullimit qytetar, ku përmes pankartave, thirrjeve dhe marshimeve është artikuluar pakënaqësia ndaj vendimmarrjeve që, sipas protestuesve, prekin drejtpërdrejt interesin publik dhe pasuritë kombëtare.
Në thelb të reagimit qëndron kërkesa për anulimin e projektit në Zvërnec, i cili vijon të shkaktojë debat të fortë publik, si dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, protestuesit kërkojnë rishikim të politikave që lidhen me zhvillimin territorial, trashëgiminë kulturore dhe zonat e mbrojtura.
Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat nuk do të ndalen, duke paralajmëruar vijimësi deri në reflektimin e institucioneve dhe plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas tyre, transparenca dhe përgjegjësia politike janë thelbësore për të rikthyer besimin e publikut.
Në fokus të lëvizjes janë edhe pesë kërkesa kryesore të artikuluara nga “Lëvizja e Re Qytetare”, të cilat përfshijnë:
- Dorëheqjen e qeverisë
- Heqjen e kuadrit ligjor për investitorët strategjikë
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura
- Rishikimin e ndërhyrjeve në legjislacionin për trashëgiminë kulturore
Kjo valë protestash po shihet si një nga reagimet më të qëndrueshme qytetare të kohëve të fundit, me një pjesëmarrje në rritje dhe një axhendë të qartë kërkesash ndaj ekzekutivit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



