E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK sekuestron vilën luksoze në Dhërmi
Lajme

SPAK sekuestron vilën luksoze në Dhërmi

Në pronësi të Igli Tares, por dyshohet se u përdor nga Belinda Balluku

TIRANË – Një vilë luksoze me pishinë në kompleksin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut është kthyer në epiqendrën e një hetimi të rëndësishëm nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Vila, e identifikuar me numrin F-6, është sekuestruar zyrtarisht më 3 qershor 2026, nën dyshimet e forta se është produkt i korrupsionit dhe pastrimit të parave ku përfshihet ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Nonse në dokumente dhe juridikisht vila figuron në emër të ish-kapitenit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Igli Tare, prokuroria pretendon se ajo në të vërtetë administrohej dhe përdorej lirisht nga Balluku dhe familjarët e saj. Një detaj tjetër që shton dyshimet e hetuesve është se ngjitur me këtë vilë ndodhet edhe prona e Viola Haxhiademit, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe vartëse e drejtpërdrejtë e Ballukut.

Skema e dyshuar: Tenderat e Albcontrol dhe kontrata e “porosisë”

Sipas dosjes hetimore, zanafilla e kësaj prone lidhet me periudhën kur Belinda Balluku drejtonte shoqërinë shtetërore “Albcontrol”. SPAK dyshon se Balluku ka favorizuar kompaninë “Eurocol”, në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli, duke i dhënë dy tendera me një vlerë të konsiderueshme prej rreth 1 miliard lekësh. Përfitimi i vilës luksoze në bregdet dyshohet se ka qenë “shpërblimi” për këto tendera.

Për të fshehur pronarin real, më 5 dhjetor 2018 u nënshkrua një kontratë porosie mes Igli Tares dhe kompanisë ndërtuese “Eurocol” për vlerën 145 mijë euro. Megjithatë, skaneri financiar i SPAK ka zbuluar mangësi të theksuara në transaksione:

 70,000 euro janë paguar nga vëllai i ish-futbollistit, Agron Tare.

 75,000 euro (diferenca e mbetur) nuk ka asnjë gjurmë financiare në llogaritë bankare apo dokumente zyrtare.

Mobilimi nga Balluku dhe kontrata fiktive e qirasë

Hetimet e deritanishme kanë provuar se Igli Tare nuk ka jetuar asnjë ditë në vilën e Dhërmiut. Në të kundërt, ka qenë vetë Balluku dhe familjarët e saj që kanë kryer mobilimin e plotë dhe e kanë shfrytëzuar atë rregullisht.

Për më tepër, tre vite e pesë muaj pas nënshkrimit të kontratës fillestare, Tare ia jep këtë vilë me qira shtetases Joana Bushi, e cila ka shërbyer si drejtoreshë kabineti e Ballukut. Edhe për këtë marrëdhënie qiraje, prokuroria nuk ka arritur të verifikojë asnjë transaksion apo kalim parash, duke ngritur dyshimet se bëhet fjalë për një lëvizje fiktive për të mbuluar gjurmët.

Akuzat e rënda dhe zgjerimi i hetimeve

Pasi firmosi sekuestron e pronës, SPAK ka regjistruar zyrtarisht procedimin penal ndaj personave të përfshirë. Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku po hetohet për tri akuza të rënda:

1 “Pastrim i produkteve të veprës penale”

2 “Korrupsion pasiv”

3 “Fshehje e pasurisë”

Nga ana tjetër, ish-futbollisti Igli Tare, ish-drejtoresha e kabinetit Joana Bushi dhe biznesmeni Pandeli Carapuli po ndiqen penalist nën akuza që lidhen me bashkëpunimin në korrupsion dhe pastrimin e parave.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se ky sekuestro është vetëm hapi i parë, pasi hetimet po shtrihen me shpejtësi në verifikimin e pasurive dhe pronave të tjera që dyshohet se janë fshehur nga zyrtarët e përfshirë në këtë aferë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.