Oltion Çaçi ndan momente magjike nga ‘Festa e Midhjes’ në Ksamil
Ksamili ka hyrë në atmosferën e një prej eventeve më të dashura të jugut shqiptar, “Festës së Midhjes”, e cila këtë vit rikthehet me një organizim më të madh dhe me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe turistëve.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi, tregojnë atmosferën festive që ka përfshirë Ksamilin, ku shëtitorja është dekoruar me flamuj shumëngjyrësh dhe simbolikën e festës, ndërsa qindra vizitorë kanë mbushur zonën për të shijuar muzikën, gastronominë dhe energjinë e mbrëmjeve verore buzë detit.
Edhe në pamjet e ndara nga kreu i bashkisë shfaqen edhe momentet nga Liqeni i Butrintit, aty ku kultivohet një nga produktet më të njohura të zonës, midhja e Butrintit. Kuzhinierë, përfaqësues të bizneseve lokale dhe vizitorë shihen duke degustuar produktet e detit, ndërsa atmosfera shoqërohet me muzikë dhe aktivitete promovuese që synojnë ta kthejnë këtë festë në një pikë referimi për turizmin gastronomik në jug të vendit.
Përmes këtyre publikimeve, Oltion Çaçi ka zgjedhur të promovojë jo vetëm eventin, por edhe potencialin turistik të Ksamilit dhe Sarandës, duke vendosur në qendër traditën lokale, produktet autentike dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
“Festa e Midhjes” konsiderohet një ndër aktivitetet më identitare të rivierës shqiptare, pasi ndërthur gastronominë, kulturën dhe natyrën në një eksperiencë unike për vizitorët vendas dhe të huaj. Atmosfera e saj sjell gjallëri në Ksamil, ku lokalet, bizneset dhe rrugët turistike përjetojnë ndër momentet më dinamike të sezonit.
Vetë festa, prania e lartë e turistëve dhe promovimi i vazhdueshëm tregojnë se Ksamili po e përdor këtë event si një vitrinë të rëndësishme për të prezantuar bukuritë natyrore dhe kulinarinë e jugut shqiptar para një audience gjithnjë e më të gjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco









