Zegjineja në sulm ndaj Dea Mishel për hesap të “lartmadhërisë”
Tensionet politike dhe reagimet ndaj protestave qytetare duket se po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në komunikimin publik dhe privat të përfaqësuesve politikë. Së fundmi, një përplasje e fortë ka shpërthyer në rrjetet sociale, duke përfshirë deputeten e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, dhe influenceren Dea Mishel.
Debati vjen në një moment kur klima politike është e ndezur dhe protestat e qytetarëve kanë shtuar presionin ndaj mazhorancës. Në këtë kontekst, është raportuar për një komunikim privat në rrjetin social “Instagram”, ku deputetja Çaushi i është drejtuar Dea Mishelit me tone fyese.
Sipas materialeve të publikuara, deputetja i ka dërguar asaj fotografi të mëparshme dhe e ka shoqëruar mesazhin me fjalët: “Të bësh ironi ti, shëmtirë, është fundi i botës”.
Përplasja ka nisur pas një deklarate të kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi në Elbasan, ku ai ironizoi disa influencues që kanë mbështetur protestat kundër projektit në Zvërnec.
Në reagimin e saj publik, Dea Mishel doli në mbrojtje të influencueseve që janë shprehur kundër këtij projekti, duke i cilësuar ato si vajza të arsimuara dhe të artikuluara. Ajo nuk kurseu kritikat as ndaj kryeministrit, duke përmendur drejtpërdrejt edhe deputeten socialiste.
“Mos bëj ironi me ne, kur ti ke futur në kabinet Zegjinenë, e cila nuk di të numërojë, nuk di të shkruajë shqip pa gabime, nuk di as të përdorë ChatGPT për ta nxjerrë veten nga lluca e saj, sepse nuk di as t’ia thotë emrin”, shkroi Dea.
Pas këtij reagimi, debati u zhvendos nga deklaratat publike në komunikime private, ku sipas pamjeve të bëra publike, deputetja Çaushi ka reaguar me ofendime personale.
Shkëmbimi i akuzave dhe toneve të ashpra ka gjeneruar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë përplasje në një nga temat më të diskutuara të ditës në opinionin publik.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



