E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Simptomat e autokratit që ndien se pushteti po i rrëshqet nga duart
OP-ED

Simptomat e autokratit që ndien se pushteti po i rrëshqet nga duart

Studiues të ndryshëm të autoritarizmit kanë vënë re se, pavarësisht dallimeve ideologjike, gjeografike apo historike, autokratët reagojnë në mënyra të ngjashme kur kuptojnë se pushteti nuk është më aq i sigurt sa dikur. Është një lloj manuali paniku që përsëritet me besnikëri nga një regjim te tjetri, nga një autokrat te tjetri.

Simptoma e parë është zbulimi i papritur i armiqve të jashtëm. Çdo pakënaqësi qytetare, çdo protestë, çdo kritikë nuk shihet më si produkt i problemeve reale, por si rezultat i një komploti të organizuar nga agjentë, sponsorë të errët, qendra të huaja destabilizimi apo forca që kërkojnë kaos. Në këtë fazë, qytetarët humbasin statusin e tyre si qytetarë dhe etiketohen me statusin e agjentëve. Sa më shumë rritet pakënaqësia, aq më shumë pasurohet lista e armiqve të jashtëm.

Simptoma e dytë është humbja e koherencës në deklarata dhe qëndrime. Lideri fillon të prodhojë deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën me një shpejtësi të admirueshme. Ajo që shpallet si agjenturë greke të hënën bëhet iraniane të martën dhe antiamerikane të mërkurën. Shpjegimet ndryshojnë vazhdimisht, jo sepse ndryshojnë faktet, por sepse rritet nevoja për të gjetur fajtorë të rinj. Në këtë fazë, nuk ka më rëndësi nëse ajo që thuhet sot përgënjeshtron atë që është thënë dje. Rëndësi ka vetëm që çdo zhvillim të ketë një armik, një komplot ose një kërcënim që mund të fajësohet. Sa më shumë shtohen këto kundërthënie, aq më qartë duket se pushteti nuk po përpiqet të shpjegojë realitetin, por të mbulojë vështirësinë e tij për ta kontrolluar atë.

Simptoma e tretë është organizimi i antimitingjeve dhe tribunave paralele të mbështetjes. Pushteti ndien nevojën të prodhojë artificialisht imazhin e forcës nëpërmjet antimitingjeve. Është një refleks i njohur i autokratëve që kur nuk arrijnë më të mobilizojnë përmes bindjes ata kalojnë te mobilizimi përmes presionit. Si në antimitingjet e 35 viteve më parë, qëllimi nuk është të bindet publiku, por të krijohet përshtypja se shumica është ende aty. Paradoksi është se sa më shumë investohet në demonstrimin e mbështetjes, aq më shumë lind dyshimi se mbështetja reale po pakësohet.

Simptoma e katërt është mobilizimi total i aparatit mediatik. Hapësira publike trajtohet si një territor që duhet rimarrë me çdo kusht. Mesazhet kontrollohen, temat orientohen, debatet kanalizohen. Në vend që të luftohet shkaku i pakënaqësisë, luftohet pasqyrimi i saj. Sa më shumë thellohet hendeku mes realitetit dhe propagandës, aq më shumë energji harxhohet për të menaxhuar perceptimin. E gjithë makineria e komunikimit vihet në funksion të një misioni të vetëm atë që të bindë publikun të mos besojë atë që sheh me sytë e vet ose shpërndahet nga rrjetet sociale.

Simptoma e pestë është nevoja për të provokuar përshkallëzim. Protestat paqësore janë të rrezikshme për autokratin sepse krijojnë simpati dhe kanë potencial masivizues. Për këtë arsye, regjimet autokratike shpesh përpiqen të infiltojnë elementë që ta zhvendosin protestën nga paqësore në të dhunshme. Një protestë me lule dhe këngë është e vështirë të demonizohet, një protestë me incidente është shumë më e lehtë të kriminalizohet. Pushteti ndihet më komod përballë kaosit sesa përballë qytetarisë së organizuar, sepse kaosi i jep justifikimin që i nevojitet për të reaguar me forcë.

Simptoma e gjashtë është ngushtimi i rrethit të besnikëve. Autokrati fillon të mos u besojë më institucioneve që vetë ka ndërtuar. Këshilltarët zëvendësohen nga besnikët, ekspertët nga servilët dhe informacioni nga gënjeshtra. Në fund krijohet një ambjent i mbyllur ku lideri dëgjon vetëm atë që dëshiron të dëgjojë.

Simptoma e fundit dhe domethënëse është humbja e kontaktit me realitetin. Çdo raport pozitiv besohet verbërisht, çdo kritikë shpallet propagandë, çdo paralajmërim konsiderohet tradhti. Regjimi vazhdon të flasë për stabilitet pikërisht në momentin kur stabiliteti po lëkundet. Vazhdon të flasë për unitet pikërisht kur ndarjet po thellohen. Vazhdon të flasë për besim pikërisht kur frika është bërë mekanizmi kryesor i qeverisjes.

Historia ka treguar se autokratët rrallë e humbasin pushtetin sepse nuk kanë mjaftueshëm propagandë. Shumë më shpesh e humbasin sepse, në një moment të caktuar, fillojnë t’i besojnë propagandës së tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.