Irani i përgjigjet “flakë për flakë” Edi Ramës
“Dëgjo shqiptarët që kërkojnë largimin tënd, mos fajëso Teheranin”
Tensionet diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përplasjeje pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi lidhi Teheranin me sulmet kibernetike ndaj vendit dhe me zhvillimet e fundit protestuese në Shqipëri.
Reagimi zyrtar nga pala iraniane erdhi përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili kundërshtoi ashpër akuzat e ngritura nga kreu i qeverisë shqiptare. Në një reagim publik në rrjetin social X, ai i cilësoi deklaratat e Ramës si pretendime të pabazuara dhe të diktuara nga interesa politike të brendshme.
Sipas Baqaei, përpjekja për të lidhur Iranin me zhvillimet politike në Shqipëri synon të largojë vëmendjen nga pakënaqësitë e qytetarëve dhe nga protestat që po zhvillohen në vend. Diplomati iranian argumenton se qeveria shqiptare duhet të përballet me shqetësimet e brendshme, në vend që të kërkojë përgjegjës jashtë kufijve.
Në reagimin e tij, ai përdori një ton të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit shqiptar, duke deklaruar se ishte vetë Rama ai që kishte nisur përplasjen verbale dhe se tashmë duhej të përballej me pasojat politike të saj.
Baqaei theksoi se qytetarët shqiptarë janë në gjendje të gjykojnë vetë realitetin politik dhe nuk kanë nevojë për interpretime të imponuara nga pushteti. Ai shtoi se një qeveri demokratike duhet të dëgjojë zërat kritikë që ngrihen nga qytetarët dhe të mos kërkojë fajtorë të jashtëm për pakënaqësitë e brendshme.
“Qetësohuni, zoti kryeministër. Ishit ju që e nisët këtë. Duhet të përballeni me pasojat. Populli shqiptar është mjaftueshëm inteligjent për të dalluar të vërtetën nga propaganda. Nëse vendosni të hiqni dorë nga sovraniteti juaj kombëtar, është zgjedhja juaj, por mos përdorni të tjerët si justifikim për t’iu shmangur përgjegjësisë ndaj qytetarëve”, thuhet në thelb të reagimit të diplomatit iranian.
Në fund të deklaratës së tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane iu referua edhe protestave të zhvilluara në Shqipëri, duke përmendur sloganet që janë dëgjuar gjatë tubimeve të fundit, si “Jo korrupsionit”, “Duam drejtësi” dhe “Rama ik”, të cilat sipas tij reflektojnë klimën aktuale të pakënaqësisë politike në vend.
Përplasja mes Tiranës dhe Teheranit vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat prej vitesh janë karakterizuar nga tensione të vazhdueshme pas akuzave të Shqipërisë për sulme kibernetike dhe strehimit në territorin shqiptar të opozitës iraniane.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



