Rama gjen fajtorin e ri për protestat: Po i ushqen Irani!
Nga Tivati, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos merret me projektin e shumëdebatuar të Zvërnecit, por me “armiqtë” që, sipas tij, po i fryjnë zjarrit të protestave.
Sepse, në fund të fundit, sipas logjikës së Kryeministrit, problemi nuk është projekti – i cili, në fakt, ende nuk ekziston i miratuar – por ata që guxojnë të flasin për të.
Rama e bëri të qartë se nuk ka asgjë konkrete për t’u diskutuar, duke e mbyllur çështjen me një arsyetim të thjeshtë: “nuk ka projekt, ndaj nuk ka as debat”. Por ndërkohë, debati ekziston. Dhe madje është i madh.
Për ta shpjeguar këtë “paradoks”, Kryeministri solli në skenë një fajtor të ri: Iranin.
Sipas tij, ajo që po ndodh nuk është thjesht reagim qytetar apo shqetësim për mjedisin, por pjesë e një “lufte hibride”, ku përzihen narrativa të rreme, teori konspirative dhe – pse jo – edhe pak gjeopolitikë ekzotike.
Në këtë version të realitetit, protestuesit nuk janë thjesht qytetarë të shqetësuar për një zonë të mbrojtur, por, në mënyrë indirekte, konsumatorë të një propagande që vjen nga shumë larg. Aq larg sa arrin deri në Teheran.
Madje, sipas Kryeministrit, janë përhapur edhe histori që lidhin projektin me marrëveshje sekrete ndërkombëtare dhe skenarë të pabesueshëm. Një rrëfim që, në vend që të qetësojë situatën, duket se e zhvendos debatin nga Zvërneci… drejt Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, Rama apelon për qetësi dhe “bazim në fakte”, duke kujtuar se projekti ende nuk ekziston në letër të miratuar. Një detaj që, sipas tij, duhet të mjaftojë për të ndalur çdo shqetësim.
Por ndërsa projekti mungon, narrativa është më e gjallë se kurrë.
Dhe nëse deri dje protestat kishin si shkak një zhvillim të mundshëm në një zonë natyrore, sot ato kanë marrë një dimension të ri: një betejë ku, sipas Kryeministrit, përfshihen jo vetëm qytetarët dhe ambientalistët… por edhe Irani.
Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë: a kemi të bëjmë me një debat për një projekt që s’është miratuar ende, apo me një histori ku fajtorët gjenden gjithmonë diku tjetër?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



