Irani përmend sërish Shqipërinë si objektiv të mundshëm të sulmeve
Shqipëria është përfshirë sërish në deklaratat kërcënuese që vijnë nga Irani, në një kohë tensionesh të larta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Këtë herë, paralajmërimi erdhi nga Mohammad Javad Larijani, drejtues i Institutit për Shkencat Themelore në Iran, i cili përmendi edhe territorin shqiptar mes vendeve ku ndodhen baza amerikane që mund të shndërrohen në objektiva ushtarake.
Sipas deklaratës së tij, nëse Irani sulmohet përmes bazave amerikane në Evropë, Teherani do t’i konsiderojë ato objektiva legjitime për kundërpërgjigje.
“Nëse Irani sulmohet nga bazat amerikane në Gjermani, Shqipëri apo Britani, këto baza do të jenë objektivat tona legjitime”, deklaroi Larijani.
Paralajmërimi vjen pas një serie qëndrimesh të publikuara në mediat konservatore iraniane, ku janë përmendur disa vende evropiane si objektiva të mundshëm në rast të përshkallëzimit të konfliktit me Uashingtonin dhe Tel Avivin.
Në raportime të mëparshme është përmendur edhe gazeta iraniane “Kayhan”, e cila ka renditur infrastrukturën ushtarake amerikane dhe të NATO-s në Shqipëri, Greqi, Itali, Rumani, Qipro dhe Britani si pjesë të objektivave të mundshëm.
Larijani flet edhe për përdorimin taktik të teknologjisë bërthamore
Përtej kërcënimeve ndaj bazave ushtarake, zyrtari iranian ngriti edhe mundësinë e përdorimit taktik të teknologjisë bërthamore kundër objektivave ushtarake.
Ai argumentoi se një përdorim i tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërtimin e një bombe bërthamore për të goditur popullsinë civile, por mund të përfshijë edhe përdorime të tjera në fushën ushtarake.
“Përdorimi ushtarak i teknologjisë bërthamore nuk nënkupton domosdoshmërisht ndërtimin e një bombe për t’u hedhur mbi njerëzit dhe për të vrarë popullsinë civile. Edhe në fushën e armëve mund të flasim për përdorime taktike dhe goditjen e qendrave e bazave ushtarake”, u shpreh ai.
Larijani argumentoi se një bazë ushtarake nga e cila zhvillohen operacione kundër Iranit duhet të trajtohet ndryshe nga objektivat civile apo infrastruktura jetike.
Deklaratat shtojnë shqetësimet për sigurinë në Evropë, ndërsa Shqipëria përmendet në mënyrë të përsëritur në retorikën iraniane për shkak të pranisë së infrastrukturës ushtarake amerikane dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



