E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gati për luftë? Shqipëria krijon rezerva strategjike të armëve
Lajme

Gati për luftë? Shqipëria krijon rezerva strategjike të armëve

Miratohet skema e re e gatishmërisë ushtarake

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që detyron kompanitë e licencuara në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake të mbajnë rezerva strategjike në dispozicion të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Masa synon garantimin e gatishmërisë ushtarake në rast të shpalljes së gjendjes së luftës ose në situata që lidhen me një rrezik të afërt dhe konkret të agresionit ushtarak ndaj Shqipërisë apo aleatëve të saj strategjikë.

Sipas vendimit, subjektet e licencuara që prodhojnë armatime do të duhet të kenë në dispozicion deri në 5% të kapacitetit të tyre vjetor të prodhimit si rezervë strategjike. I njëjti kufi prej 5% aplikohet edhe për kompanitë që merren me tregtimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, bazuar në inventarin e destinuar për shitje.

Një trajtim i veçantë është parashikuar për shoqërinë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të armëve dhe teknologjive ushtarake. Në këtë rast, rezerva strategjike do të arrijë në 25% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit, me mundësi rishikimi nga Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë.

Vendimi përcakton se aktivizimi i rezervës do të kryhet me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Pas lëshimit të urdhrit, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes duhet të njoftojë subjektin përkatës brenda 24 orëve.

Kompanitë do të jenë të detyruara t’i ruajnë këto rezerva në ambiente të certifikuara sigurie, me kontroll të aksesit fizik, sisteme monitorimi elektronik 24 orë në ditë dhe kushte teknike që garantojnë mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e armëve dhe pajisjeve.

Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me çmimin e blerjes në rast aktivizimi të rezervës. Forcat e Armatosura nuk do të mund të paguajnë më shumë se çmimi mesatar i shitjes së vitit paraardhës tatimor për mallrat e mbajtura në rezervë.

Qeveria ka vendosur gjithashtu kufizime të forta mbi përdorimin e kësaj sasie. Subjektet e licencuara nuk do të kenë të drejtë ta transferojnë, ta tjetërsojnë apo ta përdorin për qëllime të tjera rezervën e caktuar për nevojat e mbrojtjes kombëtare.

Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sjellë masa të rënda administrative. Sipas vendimit, sanksioni maksimal për shkelësit është revokimi i licencës së aktivitetit.

Monitorimi, kontrolli dhe verifikimi i zbatimit të këtij vendimi do të kryhen nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i plotë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.87/2024, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Kreu I

Dispozita të përgjithshme

Neni 1

Objekti 

Objekt i këtij vendimi është krijimi i rezervës së armatimeve dhe i pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga subjektet e licencuara, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë vendim.

Neni 2

Qëllimi 

Ky vendim përcakton detyrimet që zbaton subjekti i licencuar për sigurimin e një rezerve armatimesh dhe pajisjesh teknologjike për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në rastet e  gjendjes së luftës ose në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë ose aleatëve të saj strategjikë.

Neni 3

Fusha e zbatimit

Ky vendim zbatohet për çdo subjekt të licencuar, që kryen veprimtari në prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake në Republikës së Shqipërisë.

Neni 4

Përkufizime

Për qëllimet e këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Subjekt i licencuar”, çdo person juridik, publik ose privat, që ka marrë licencën e prodhimit dhe tregtimit për të ushtruar veprimtari në fushën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.

2. “Rezervë e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike”, sasia e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara detyrohen ta sigurojnë dhe ta mbajnë në dispozicion për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

3. “Aktivizim i rezervës”, procesi i krijimit dhe vënies në dispozicion të rezervës për Forcat e Armatosura, sipas urdhrit të dhënë nga ministri i Mbrojtjes.

4. “Sasia dhe tipologjia e rezervës”, përcaktimi i numrit, sasisë, llojit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, që subjektet e licencuara janë të detyruara të mbajnë në rezervë.

KREU II

KRIJIMI, SASIA, RUAJTJA DHE PËRDORIMI I REZERVËS    

Neni 5

Krijimi dhe sasia e mbajtjes së rezervës

1. Subjekti i licencuar mban një sasi rezervë armatimesh dhe pajisjesh teknologjike nga momenti i aktivizimit të saj, të përcaktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, në përputhje me:

a) kërkesat strategjike të Forcave të Armatosura;

b) kapacitetet teknike dhe logjistike të subjektit.

2. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e prodhimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit.

3. Për subjektin e licencuar, që ushtron veprimtarinë në fushën e tregtimit të armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, nuk tejkalon 5% të inventarit të destinuar për tregtim.

4. Krijimi i rezervës për shoqërinë shtetërore, të krijuar në zbatim të nenit 15, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, bëhet me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Sasia e rezervës, që vihet në dispozicion për aktivizim, është 25% e kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit. Kjo sasi ndryshon me vendim të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë.

5. Në rastet kur sasia e rezervës së aktivizuar vihet në dispozicion të Forcave të Armatosura, çmimi i blerjes nuk tejkalon çmimin mesatar të shitjeve të vitit paraardhës tatimor për mallrat e mbajtura në rezervë.

Neni 6

Kushtet e ruajtjes së rezervës

1. Subjekti i licencuar detyrohet të mbajë rezervën në kushte sigurie të certifikuara, që përfshijnë:

a) ambiente të përshtatshme magazinimi, me kontroll të aksesit fizik;

b) sisteme të sigurisë elektronike dhe të monitorimit 24/7;

c) kushte teknike, që sigurojnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe armëve në gjendje funksionale;

ç) respektimin e standardeve të sigurisë në punë dhe të mbrojtjes së mjedisit.

2. Subjekti i licencuar është i detyruar të kryejë mirëmbajtje periodike të pajisjeve të mbajtura rezervë dhe mban dokumentacionin përkatës për çdo veprim të kryer.

Neni 7 

Përdorimi i rezervës

1. Sasia dhe tipologjia e rezervës aktivizohet me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm  të Forcave të Armatosura dhe me urdhër të ministrit të Mbrojtjes:

a) në rastin e shpalljes së gjendjes së luftës;

b) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi;

c) në kushtet e një rreziku të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj aleatëve strategjikë të Republikës së Shqipërisë, përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

2. Njoftimi për aktivizimin e rezervës i përcillet menjëherë subjektit të licencuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga marrja e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes.

3. Në momentin e aktivizimit së rezervës, subjekti i licencuar i jep përparësi krijimit dhe vënies në dispozicion të saj, në një kohë sa më të shkurtër, pavarësisht detyrimeve ndaj të tretëve.

4. Sasia e papërdorur e rezervës së aktivizuar, me përfundimin e gjendjes që e ka krijuar, lirohet nga detyrimi për të qenë në dispozicion të Forcave të Armatosura dhe përdoret lirisht nga subjekti i licencuar.

KREU III

Raportimi dhe verifikimi 

Neni 8

Raportimi dhe verifikimi

1. Me aktivizimin e rezervës, subjekti i licencuar njofton menjëherë Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gatishmërinë e saj.

2. Subjekti i licencuar raporton menjëherë dhe jo më vonë se 3 (tri) ditë pune nga momenti i konstatimit çdo ngjarje të jashtëzakonshme, që ndikon në gjendjen, sigurinë ose disponueshmërinë e rezervës, përfshirë rastet e humbjes.

3. Në rast ngjarjesh të jashtëzakonshme, subjekti i licencuar informon Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për gjendjen, disponueshmërinë dhe çdo problematikë të konstatuar lidhur me rezervën e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike.

4. Pas aktivizimit të rezervës, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ushtron verifikime për gjendjen, sigurinë e saj.

5. Subjekti i licencuar lejon kryerjen e verifikimit dhe vë në dispozicion çdo informacion të kërkuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.

KREU IV

Detyrimet shtesë dhe sanksionet

Neni 9

Detyrimet shtesë të subjektit të licencuar

Subjektit të licencuar i ndalohet transferimi, tjetërsimi apo përdorimi për qëllime të tjera të sasisë së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike të mbajtura si rezervë për sigurimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Neni 10

Sanksionet

Për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara në kreun II, të këtij vendimi, për subjektin e licencuar aplikohet masa e revokimit të licencës, sipas shkronjës “e”, të pikës 5, nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Neni 11

Dispozita të fundit

1. Ngarkohet Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për monitorimin, mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e zbatimit të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 12

Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.