E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Behgjet Pacolli “kopsit” terrenin për të shkuar në Arbitrazh
Lajme

Behgjet Pacolli “kopsit” terrenin për të shkuar në Arbitrazh

Pas qeverisë, akuzon edhe drejtësinë se po e pengojnë në Aeroportin e Vlorës

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht lidhur me bllokimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë për zhbllokimin e situatës.

Në një deklaratë zyrtare, Pacolli thekson se që prej 18 majit 2026, punimet në aeroport janë penguar nga veprime të një grupi personash, të cilat, sipas tij, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet e formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Sipas tij, kjo situatë po shkakton dëme të konsiderueshme për interesin publik, ekonominë e vendit dhe komunitetin lokal, si dhe për investitorin koncesionar MABCO. Ai nënvizon se kompania ka marrë përsipër një investim që tejkalon 310 milionë euro, duke përfshirë financime direkte, punime dhe garanci financiare.

Pacolli paralajmëron se vonesat në përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe në imazhin e Shqipërisë si një destinacion për investime strategjike.

Ai shton se problemet nuk burojnë nga investitori, por nga vendime dhe procedura që kanë krijuar pasiguri juridike, përfshirë akte të kontestuara nga gjykata të shkallës së parë, të cilat bien ndesh me hierarkinë e vendimeve gjyqësore.

“Vendime të tilla përbëjnë shkakun kryesor të dëmeve ekonomike të sipërpërmendura”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kuadër, Pacolli kërkon nga organet e rendit, Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa për zbatimin e vendimeve gjyqësore, zhbllokimin e punimeve dhe hetimin e çdo veprimi apo mosveprimi që ka ndikuar në këtë situatë.

Ai thekson se çdo person që ka penguar zbatimin e ligjit apo ka shpërdoruar detyrën duhet të mbajë përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi.

Në përfundim, kompania MABCO shprehet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet dhe të vërë në dispozicion çdo dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e çështjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.