Pas 2 javësh kërkime, gjendet trupi i pajetë i Eglant Koçit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi është gjetur trupi i pajetë i Eglant Koçit, 34-vjeçarit i cili rezultonte i zhdukur prej dy javësh.
Sipas burimeve zyrtare, trupi është konstatuar nga dronët e policisë në një zonë të thellë malore, konkretisht në një humnerë në fshatin Cerujë, në kufirin mes Tiranës dhe Elbasanit. Për shkak të terrenit të vështirë, në vendngjarje janë angazhuar forcat speciale RENEA, të cilat po punojnë për nxjerrjen dhe identifikimin e trupit.
Operacioni i kërkimit kishte nisur prej ditësh dhe përfshinte një angazhim të gjerë të strukturave të sigurisë, përfshirë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. Kërkimet ishin fokusuar kryesisht në zonat malore përgjatë vijës Tiranë–Elbasan.
Eglant Koçi ishte zhdukur që prej datës 4 qershor. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ai është marrë peng dhe më pas është ekzekutuar nga një person i njohur i tij, 41-vjeçari Armand Shakaj, i cili aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Ngjarja mbetet ende në hetim, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes dhe të zbardhë plotësisht dinamikën e krimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



